Last Updated on 07/10/2025 by adminfjala
Çmimet e naftës u rritën sot rreth 1%, pasi OPEC+ vendosi të rrisë prodhimin për nëntor me një sasi më të vogël se sa pritej, duke qetësuar shqetësimet për furnizimin e tepërt, raportoi Reuters.
Nafta Brent u mbyll me 65,47 dollarë për fuçi (+1,46%), ndërsa nafta amerikane WTI u rrit në 61,69 dollarë për fuçi (+1,33%). Analistët paralajmërojnë se pritshmëritë e dobëta për kërkesën mund të kufizojnë rritjen e mëtejshme të çmimeve në afat të shkurtër.
“Tregu po kupton se sasia reale e naftës që do të hyjë në treg është më e vogël, pasi disa anëtarë të OPEC+ tashmë prodhojnë në kapacitet të plotë,” tha Andrew Lipow, president i Lipow Oil Associates.
OPEC, së bashku me Rusinë dhe disa prodhues të vegjël, njoftoi një rritje prej 137,000 fuçi në ditë, duke ruajtur sasinë e prodhimit të tetorit. Megjithatë, Arabia Saudite ka preferuar një rritje më të madhe për të rimarrë pjesën e saj të tregut, ndërsa Rusia ka mbështetur një shtesë të moderuar.
Shtesa e kufizuar vjen në një kohë kur eksportet venezuelane janë në rritje, rrjedhat e naftës kurde përmes Turqisë janë rifilluar, dhe disa fuçi të Lindjes së Mesme për ngarkesat e nëntorit mbeten të pashitura, sipas Tamas Varga nga PVM Oil Associates.
Në të njëjtën kohë, rafineria Kirishi në Rusi, një nga më të mëdhatë e vendit, ndaloi njësinë prodhuese pas një sulmi me dron dhe zjarri më 4 tetor, duke pritur rikuperim për rreth një muaj.
Ekspertët paralajmërojnë se sezoni i mirëmbajtjes së rafinerive në Lindjen e Mesme dhe rezervat e larta në SHBA, sipas raportit të Administratës për Informacionin e Energjisë (EIA), mund të frenojnë rritjen e çmimeve.
Chris Beauchamp, analist kryesor i tregut në IG Group, tha:
“Rritja afatgjatë e çmimeve varet nga aktiviteti ekonomik në SHBA gjatë pjesës tjetër të 2025-s dhe 2026-s, që do të ndikonte drejtpërdrejt në kërkesën globale për naftë.”/E.T
