Që rrjetet sociale janë terren pjellor për meme, kjo dihet prej kohësh. Po aq e parashikueshme ishte edhe që takimi “historik” mes Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin të kthehej në një mundësi ideale për të mbushur platformat sociale të miliona përdoruesve me foto dhe video ironike për tre liderët. Dhe pikërisht kështu ndodhi.
Që prej ditës së djeshme, mjafton të hedhësh një sy në X, Truth Social, Instagram apo në çdo rrjet tjetër social, për t’u përballur me një lumë memesh kushtuar samitit. E nëse ka një protagonist të padiskutueshëm të kësaj vale ironie, ai është pikërisht Vladimir Putin, i cili shfaqet thuajse gjithmonë në rolin e “fëmijës së lënë jashtë loje”: atij që mbetet mënjanë, ndërsa Xi Jinping dhe Donald Trump shijojnë vëmendjen, si dy zotër të vërtetë të “tryezës së të mëdhenjve”.
Një imazh që, në fakt, nuk duket edhe aq larg realitetit, po të rikthejmë në vëmendje disa nga momentet e takimit në Shenzhen. Roli i Putinit si “ortak i pakicës” u bë i dukshëm që në mbërritjen e tij. Në përputhje me protokollin, në aeroport e priti një anëtar i Byrosë Politike kineze, një prej organeve më të rëndësishme të Partisë Komuniste të Kinës. Krejt ndryshe ishte pritja për Trumpin: për të doli personalisht Xi Jinping, i cili e priste në këmbët e shkallëve të avionit Air Force One.
Vëmendjes së më të kujdesshmëve nuk i shpëtoi as një tjetër detaj: takimi trepalësh nisi plot dy orë me vonesë nga orari i njoftuar nga zëdhënësi i Putinit. Arsyeja? Xi dhe Trump preferuan të mos nxitoheshin, duke e zgjatur takimin e tyre kokë më kokë dhe duke shijuar madje edhe një drekë vetëm për të dy, përpara se t’i bashkoheshin presidentit rus.
E njëjta skenë u përsërit edhe gjatë darkës zyrtare, ku dy liderët vijuan bisedën mes tyre, duke e lënë Putinin disi në hije. Me pak fjalë, po t’i referohemi asaj që ndodhi, duket se memet nuk janë edhe aq larg realitetit.
Ndër fotomontazhet më ikonike që kanë qarkulluar në rrjetet sociale është ai ku Trump dhe Xi Jinping i dhurojnë Putinit një “Li Gao”, një lloj versioni kinez i Lego-s, që paraqet urën e Krimesë, simbolin e presidentit rus, e cila gjatë këtyre ditëve është goditur disa herë nga dronët ukrainas. Një tjetër imazh e paraqet Putinin të gjunjëzuar mes dy liderëve, që supozohet se janë të barabartë me të, ndërsa ata i tërheqin veshët. Në sfond shfaqet sërish ura e Krimesë, e sapogoditur nga raketat ukrainase.
Por fantazia e përdoruesve të rrjeteve sociale ka shkuar edhe më tej. Në disa profile është shfaqur një meme që i paraqet tre liderët në një version krejt të pazakontë: Donald Trump si një zonjë e moshuar, Xi Jinping si një fisnik me trup shumë më të shëndoshë se në realitet, ndërsa Vladimir Putin i ulur në një karrige me rrota, si një pacient në një institucion psikiatrik.
Sipas shumë politologëve, takimi trepalësh i Shenzhenit mund të cilësohet «historik» kryesisht për faktin se bëhet fjalë për një takim pa precedentë, dhe jo aq për rezultatet konkrete që tre liderët arritën të siguronin.
Nëse diplomacia nuk duket se prodhoi ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm, rrjetet sociale e kompensuan më së miri këtë mungesë: mes fotomontazheve, batutave dhe memeve virale, samiti ka siguruar tashmë një vend në historinë e internetit.
Dhe, duke gjykuar nga imazhet që kanë pushtuar rrjetin gjatë këtyre orëve, Putini mund të mos jetë aspak i kënaqur me mënyrën se si do të mbahet mend ky takim./mxh
