Hungaria ka hequr veton ndaj dy kapitujve të fundit të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke i hapur rrugë avancimit të procesit të integrimit në BE. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së miratoi të premten, më 20 nëntor, rezultatet e procesit të shqyrtimit për grupkapitujt 4 dhe 5, gjatë një takimi në Bruksel, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Vendimi shënon një ndryshim në qëndrimin e Budapestit, i cili kishte bllokuar vazhdimisht përparimin në këta dy kapituj gjatë takimeve të grupit të punës të Këshillit të BE-së për Zgjerimin, më 20 dhe 27 tetor, si dhe më 3 dhe 10 nëntor.
Kundërshtimet e Hungarisë kanë qenë një pengesë e vazhdueshme për procesin e integrimit evropian të Ukrainës. Budapesti kishte ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me të drejtat e pakicës etnike hungareze në rajonin e Zakarpatisë, në perëndim të Ukrainës.
Fitorja e Peter Magyar ndaj Orbanit në zgjedhjet e prillit 2026 kishte rritur pritshmëritë për një ndryshim të qasjes së Hungarisë ndaj Ukrainës. Megjithatë, qeveria e re ka vazhduar ta lidhë procesin e anëtarësimit të Kievit në BE me çështjen e të drejtave të pakicës hungareze.
Në qershor, Magyar njoftoi një marrëveshje me Kievin për zgjerimin e të drejtave arsimore, kulturore, gjuhësore dhe politike të pakicës hungareze në Ukrainë. Marrëveshja ishte pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Pavarësisht kësaj, Hungaria kishte vazhduar të vononte avancimin e negociatave, duke bllokuar në disa raste hapjen e kapitujve të tjerë edhe pas arritjes së marrëveshjes për të drejtat e pakicave. Megjithatë, vendimi i së premtes nuk nënkupton hapjen zyrtare të negociatave për dy grupkapitujt e fundit.
Ukraina dhe Moldavia duhet fillimisht të marrin ftesën zyrtare për të paraqitur qëndrimet e tyre negociuese për grupkapitujt 4 dhe 5. Më pas, Bashkimi Evropian do të përgatisë qëndrimet e përbashkëta, të cilat duhet të miratohen unanimisht nga të 27 shtetet anëtare./mxh
