Last Updated on 09/10/2025 by adminfjala
Më 9 tetor 1967, në fshatin e vogël La Higuera të Bolivisë, përfundoi një nga figurat më legjendare të shekullit XX — Ernesto “Che” Guevara, mjeku argjentinas që u bë simbol i luftës guerile dhe revolucionit socialist në Amerikën Latine. Ai ishte vetëm 39 vjeç, jo 30, siç shpesh raportohet në mënyrë të pasaktë.
Pas suksesit të revolucionit kuban të vitit 1959, ku Che kishte qenë krahu i djathtë i Fidel Castros, ai braktisi të gjitha privilegjet e pushtetit për të përhapur idealet e revolucionit marksist në vendet e tjera të botës. Pas përpjekjeve të dështuara në Kongo, Guevara u zhduk nga skena publike dhe në vitin 1966 u shfaq fshehurazi në Bolivi, ku shpresonte të niste një kryengritje që do të përhapej në gjithë Amerikën e Jugut.
Por terreni i ashpër malor, mungesa e mbështetjes së popullsisë lokale dhe bashkëpunimi i ngushtë midis ushtrisë boliviane dhe CIA-s amerikane e çuan misionin drejt dështimit. Më 8 tetor 1967, Che u rrethua dhe u kap i gjallë nga njësitë speciale boliviane në luginën e Yuro-s, pas një beteje të shkurtër. I plagosur dhe pa armë, ai u dërgua në shkollën e fshatit La Higuera, ku u mbajt për rreth 24 orë.
Gjatë kësaj kohe, ai u mor në pyetje nga Felix Rodriguez, një agjent kubano-amerikan i CIA-s, i cili do të përcillte edhe urdhrin për ekzekutim. Mëngjesin e 9 tetorit, rreshteri bolivian Mario Terán, i zgjedhur për ta qëlluar, hyri në dhomë me duar që i dridheshin. Che e pa drejt në sy dhe, sipas dëshmitarëve, tha fjalët e tij të fundit: “Qëllo, frikacak, do të vrasësh një njeri, jo një ide.”
Ai u qëllua me breshëri automatik në orën 13:10. Trupi i tij u ekspozua publikisht në spitalin e vogël të Vallegrandes për të provuar vdekjen e tij, ndërsa më vonë u varros fshehurazi në një varr anonim. Vetëm në vitin 1997, eshtrat e tij u gjetën dhe u dërguan në Santa Clara, Kubë, ku prehen sot me nderime shtetërore.
Vdekja e Che Guevarës e shndërroi atë në mit global — një figurë që tejkaloi kufijtë e ideologjisë për t’u bërë simbol i rebelimit, sakrificës dhe lirisë. Portreti i tij me beretën dhe yllin revolucionar, i fiksuar nga fotografi Alberto Korda, mbetet deri sot një nga imazhet më të njohura dhe më të riprodhuara në historinë moderne.
Përgatiti: L.Veizi
