Imagjinoni pak sikur zgjedhjet e Tiranës të mos organizohen as më 9 tetor dhe as në dhjetor, janar apo shkurt, por në 2027. Edhe nëse organizohen jashtë rregullave, pyetja më e rëndësishme është: kush del më i humburi i procesit të deritanishëm?
Sali Berisha, jo. Ai nuk donte zgjedhje. Nuk i intereson të fitojë bashkinë Tiranë, sepse e di që nuk i fiton dot. Përsëritja e dramës nuk i hyn në punë. Kjo është arsyeja pse toleroi në negociatat e fundit.
Arlind Qori, as po, as jo. Ai rikonfiguroi veten si një person që nuk do t’ia dijë nëse Tiranën e merr lumi apo PS çimenton pushtetin, sepse ka vetëm një hall: të ruajë nja 10 mijë vota personale. Kaq kërkon nga jeta e tij: të jetë kryeplak i partisë së tij të vogël. Nuk ka ëndërr tjetër. Mjaftohet me pak, të menaxhojë 30-40 studentë.
I humburi doli Agron Shehaj! Ai tentoi ta shiste veten si njeriu që do të shpëtonte opozitën. Tentoi t’i impononte PD-së kandidatin që donte. Dha idenë, e mbrojti, gjeti emrin që i leverdiste atij dhe… në fund dështoi.
I penduar që shpenzoi miliona euro në fushatën e 11 majit për dy mandate që nuk i hyjnë në punë askujt, Shehaj donte të gjente një rrugë për t’u pranuar nga demokratët. Fatkeqësisht për të, nuk ndodhi. Donte të shpallej “shefi hije” i opozitës, pas Berishës. Nuk ia doli.
Betejën e fitoi Adriatik Lapaj. Ai hodhi një ide: “unë mbështes dikë që shpall kandidaturën pa pyetur askënd, në mënyrë të pavarur”. Kandidati doli, Florjan Binaj. Aktori i mirënjohur ishte partner i Lapajt për një vit dhe ka dalë nga “skuderia” e tij.
Berisha e pranoi dhe në fund për Tiranën do të garojë një njeri i Lapajt.
Agron Shehaj nuk mund të bënte asgjë, veçse të shtirej në TV sikur do ta mbështesë Binajn. Sigurisht që nuk do ta bëjë realisht. Ai kishte synim tjetër, por dështoi…
