Erjon Hoxha është pronari i banesës ku u arrestua Aldo Avdyli, nipi i kreut të bandës së Shijakut, Astrit Avdyli. Kjo banesë ku fshihej i shumëkërkuari për vrasje, Aldo Avdyli, ishte marrë me qira nga një tjetër eksponent i punëve të pisëta.
Sipas raportimeve Dorjan Sherifi i arrestuar pak vite më parë në Shijak pasi u kap me kokainë, kishte nënshkruar kontratë qiraje më 10 Qershor 2025 me Erjon Hoxhën.
Aldo Avdylaj ishte në kërkim nga SPAK për disa ngjarje të rënda kriminale dhe pavarësisht se kërkohej ngado, fshihej në një nga zonat më të populluara të Tiranës.
Efektivët kishin informacion për vendndodhjen e tij dhe e kanë lokalizuar në zonën e “Kopshtit Zoologjik”, ku dhe është finalizuar operacioni i arrestimit. Emri i tij doli dhe dy javë më parë, nga zbardhja e një ngjarje kriminale që bëri Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me agjencitë europiane të zbatimit të ligjit, pas përgjimeve në “SKY ECC”.
Aldo Avdylaj akuzohet zyrtarisht se ka koordinuar veprimet për ekzekutimin e shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku) në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2021 me porosi të kreut të grupit të Shijakut, Astrit Avdylaj, pasi Ilir Kuçi kishte tentuar t’i vriste nipin, të arrestuarin e sotëm Aldo Avdylaj.
Në shenjë hakmarrje, grupi i Shijakut veproi menjëherë dhe e ekzekutoi Ilir Kuçin para shtëpisë.
Dy javë më parë dhe 4 vite nga krimi i rëndë, SPAK arriti të zbardhte vrasjen dhe lëshoi fletëarrest në mungesë për Aldo Avdylaj, një eksponent i krimit në zonën e Shijakut dhe pjesë e grupit të vrasjeve me pagesë që drejtohet nga xhaxhai dhe kushërinjtë e tij. (Newsbomb)
