Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, është shprehur rreth situatës së zhvillimeve brenda PS-së dhe përplasjeve më të fundit.
Gjoni komentoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama. Për të, Rama nuk ndihet i qetë dhe nuk ka sesi të jetë i qetë, pasi po ushtron presione mbi Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën për t’i disiplinuar dhe për t’i dhënë një mesazh të gjithë socialistëve.
Deputeti demokrat, në një intervistë, deklaroi se tensionet brenda PS-së po shkojnë përtej kufijve ligjorë. Këtu, ai u ndal te paralajmërimet e lëshuara ndaj deputetes socialiste Spiropali, duke vënë theksin te mosmarrja e një vendimi zyrtar për largimin nga grupi parlamentar i PS-së. Të njëjtin fakt e ka shtuar dhe për Plarent Ndrecën, ku paralajmërimi nuk është kthyer as për të në një vendim konkret.
“U deklarua që do të ketë përjashtim të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës për të dhënë një mësim, por nuk kishte vendimmarrje.
Kjo duket në Kuvend.
Nëse Spiropali do të ishte përjashtuar, do të ishte vendosur te Marjana Koçeku, jo të ishte në rresht për të votuar buxhetin që u votua para disa ditësh.
Fakti që ajo është në grupin e PS-së tregon se ky është thjesht presion.”, nënvizoi Gjoni.
Sipas Gjonit, largimi i Spiropalit nga postet që gëzonte konkludohet me qëndrimin e saj personal, të cilin e cilëson si kundërshtues ndaj qasjes së partisë ku bën pjesë.
“Nëse shohim diskursin qoftë në rrjetet sociale, por edhe në intervistën që ka dhënë, Spiropali nuk është se kishte një qëndrim refraktar në raport me Ramën.
Spiropali është në dyzim.
Fakti që është rritur në PS dhe ka shkuar në karrierë deri kryetare e Kuvendit, nuk kërkon ta çojë në 0 këtë karrierë”, shtoi Gjoni.
Gjoni theksoi se në Partinë Socialiste sheh një luftë të vërtetë klanesh për pushtet, ku proceset hetimore pritet të zbulojnë bomba të radhës.
“Aty ka filluar lufta e klaneve, pavarësisht se njëri është kumbari i tjetrit, tjetri i ka mbajtur fëmijët.
Kanë shkuar në luftë sepse pushteti po humbet dhe dinjitetin njerëzor.
Këta kanë dalë jashtë kësaj dhe personi që mban gjithë xhindet bashkë është Rama”, e mbylli Gjoni./k.m
