Në kryeqytet tashmë ka një hapësirë të dedikuar për të gjithë të dashuruarit me librin. Biblioteka “Tirana Moons” e vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, ka marrë vëmendjen e qytetarëve dhe kryesisht të të rinjve, që në ditët e para të çeljes së saj.
Ky instalacion i ri, jo i përhershëm, u krijua me forma modulare, njësi të parafabrikuara që montohen në vend. Format e tyre dhe ndriçimi që i shoqëron, të shëmbëllejnë me Hënën.
Hapësira krejtësisht e veçantë, u mbush me libra të dhuruar për qytetin, nga Libraria “Dukagjini” e Kosovës. Gjithashtu, një pjesë librash dhuruan edhe arkitektët të cilët kanë marrë pjesë në projektet e zhvilluara në kryeqytet.
Kjo hapësirë që bashkon arkitekturën me artin dhe kulturën është vepër e arkitektit Chris Precht. Librat e ekspozuar, mund të lexohen vetëm brenda “Tirana Moons”. Interes gjatë këtyre ditëve kanë pasur kryesisht moshat studentore si dhe të moshuarit. /K.M

