Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë sot në rundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në të gjitha 80 komunat, plus në Qytetin e Shkupit.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 31 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 15:00.
Votimi filloi në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00. Më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para.
Në një konferencë për media ministri i Brendshëm maqedonas, Goce Andreevski, bëri të ditur se dy persona janë arrestuar në Prilep për shkak të “dhënies së ryshfetit” gjatë procesit zgjedhor. Megjithatë, ministri vlerësoi se procesi është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe në demokratike.
Ndërkaq, Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë shkeljet zgjedhore, duke ofruar numra ku ata mund ta bëjnë një gjë të tillë gjatë procesit zgjedhor.
Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga shpallja e pavarësisë së shtetit në vitin 1991. Qytetarët në Maqedoni të Veriut po votojnë për herë të dytë brenda më pak se dy vjetësh, pasi vitin e kaluar në prill dhe maj u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.832.415 qytetarë, sipas listës zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Të shtunën votuan të sëmurët dhe personat që nuk kishin mundësi të dilnin në zgjedhje, personat në shtëpitë e të moshuarve, si dhe ata që ndodhen në paraburgim ose janë duke vuajtur dënimin me burgim.
Në mesin e numrit të përgjithshëm të shtetasve me të drejtë vote janë edhe 112.000 persona që janë me punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, si dhe 2.162 persona në burg ose paraburgim dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.
Në gjithë vendin ka gjithsej 3.480 vendvotime.
Për 81 poste të kryetarëve të komunave ka 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshilla garojnë mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista. m.p.
