Rreziku i drejtpërdrejtë për bilancet e bankave ndaj ndryshimeve në kursin e këmbimit ishte në nivele të ulëta. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti treguesi i pozicionit neto të hapur valutor të sektorit bankar, që përdoret për të vlerësuar këtë rrezik, ishte “në blerje” në nivelin 5.6% të kapitalit rregullator.
Niveli i këtij pozicioni ishte rreth 1 pikë përqindjeje më i lartë në krahasim me gjashtë muaj dhe një vit më parë, megjithatë ai qëndron dukshëm nën kufirin maksimal rregullator. Gjatë 6-mujorit 2025, ky pozicion nuk ka treguar luhatje të rëndësishme, duke mbetur pranë vlerave të vitit të fundit.
Pozicioni neto i hapur valutor për çdo monedhë të huaj (ose në ar) llogaritet si diferencë midis aktiveve dhe pasiveve në monedhë të huaj, duke përfshirë dhe interesat e përllogaritura, si dhe transaksionet (spot ose forward), të cilat kanë të bëjnë me blerje dhe shitje të valutave, për të cilat është rënë dakord, por që nuk janë regjistruar ende në librat kontabël.
Pozicioni total neto i hapur valutor i bankës në fund të çdo dite pune nuk duhet të kalojë 30% të kapitalit të saj rregullator. Pozicioni neto i hapur valutor i bankës në një monedhë të veçantë të huaj (ose në ar) në fund të çdo dite pune nuk duhet të kalojë 20% të kapitalit të saj rregullator.
Ecuria e treguesit të përgjithshëm të sektorit bankar përcaktohet kryesisht nga ecuria e treguesit për bankat me rëndësi sistemike. Për këto banka, pozicioni i hapur neto valutor “në blerje” ishte sa 9.1% e vlerës së kapitalit rregullator të tyre. Kjo vlerë ishte dukshëm më e lartë nga nivelet 5.6% dhe 6.4% të regjistruara gjashtë muaj dhe një vit më parë.
Ndërsa pozicioni i hapur neto valutor i bankave josistemike ishte “në shitje” në nivelin 0.4% të kapitalit rregullator. Gjashtë muaj dhe një vit më parë, pozicioni i tyre ishte “në blerje” dhe sa 0.8% dhe 0.3% e kapitalit rregullator të këtyre bankave.
Pavarësisht ndryshimit të herëpashershme të kahut të pozicionit të hapur neto, “në blerje” ose “në shitje”, ekspozimi i bankave josistemike nuk e tejkalon nivelin prej 2% të kapitalit rregullator të tyre, dhe ky nivel ka mbetur i qëndrueshëm në kohë.
Bankat josistemike paraqesin në përgjithësi ekspozim të ulët dhe të qëndrueshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.
Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut ka pësuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit. Në pesë vitet e fundit, zhvlerësimi i euros ndaj lekut llogaritet me më shumë se 22%. Megjithatë, luhatjet e kursit nuk kanë shkaktuar probleme në bilancet e bankave, edhe për shkak të niveleve të ulëta të ekspozimit direkt ndaj këtij rreziku.
Ndërkohë, edhe rreziku i lidhur me cilësinë e kredisë në valutë të pambrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit (kur huamarrësi merr kredi në monedhë të ndryshme nga ajo që ka të ardhurat) është në rënie. Raporti i kredive me probleme për këtë portofol të kredisë shënoi 3.7% në fund të qershorit 2025, nga 4.3% një vit më parë./ Marrë nga Monitor/
