Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të institucioneve kushtetuese dhe të bashkëpunimit me Komisionin e Venecias, duke paralajmëruar se opinioni i këtij komisioni nuk mund të përdoret për të vënë në diskutim vendimet përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës së saj, Zaçaj theksoi se Komisioni i Venecias ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe mbështetjen e sistemit kushtetues, por theksoi qartë kufijtë e këtij bashkëpunimi.
Ajo nënvizoi se opinioni këshillimor nga Komisioni duhet të kërkohet përpara vendimmarrjes, jo pas saj, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për ta përdorur atë si një instrument për të kontestuar vendimet e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese.
“Procesi konsultativ nuk mund të përdoret për të shmangur vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë përfundimtare. Ato nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ tjetër i shtetit”, deklaroi Zaçaj.
Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj tha se roli i GJK nuk mund të jetë thjesht një fasadë institucionale, por duhet të jetë aktive në mbrojtje të rendit demokratik.
“Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon, është një dekor institucional”, tha ajo.
Zaçaj iu referua gjithashtu rëndësisë së Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar se Shqipëria e ka ratifikuar atë që në vitin 1996 dhe se konventa ka një vlerë të barabartë me Kushtetutën.
“Kushtetuta e Shqipërisë e bën pjesë të brendshme Konventën, sepse ajo barazohet me vetë Kushtetutën. Në asnjë rast, kufizimet që vendos shteti nuk mund të tejkalojnë ato që parashikon Konventa”, u shpreh Zaçaj.
Duke përmbyllur fjalën, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese theksoi rëndësinë e ndarjes së pushteteve dhe të respektimit të lirive themelore të njeriut, duke e cilësuar Kushtetutën si një kontratë me qytetarin dhe jo si një instrument në duart e politikës.
“Kushtetuta nuk është pronë e politikave, është kontratë me qytetarin. Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti, ato janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë, pa përjashtim” /K.M
