Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare u rrit për të dytin ankand radhazi. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave obligacionet 10-vjeçare u emetuan me një yield uniform dhe kupon prej 5.25%, nga 5.05% që kishte qenë yield-i në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve.
Kërkesa në ankand ishte e lartë, me një shumë totale të kërkesave prej 3.25 miliardë lekësh, nga 2.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Kjo e fundit e rriti shumën e emetimit në maksimumin e lejuar nga rregullorja e ankandit, prej 15%, për një shumë totale prej 2.875 miliardë lekësh.
Edhe ky ankand konfirmon tendencën e korrektimit në rritje të yield-eve të obligacioneve, duke pasur parasysh se ato në gjysmën e parë të këtij viti ato kishin rënë në nivele shumë të ulëta. Nga ana tjetër, ankandet e titujve afatgjatë në përgjithësi kanë një bazë pak më të ngushtë investitorësh, krahasuar me titujt afatshkurtër.
Ndërkohë, tregu i instrumenteve afatshkurtra vazhdon të karakterizohet nga yield-e të ulëta dhe në rënie. Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit pësuan një rënie të mëtejshme në ankandin e muajit tetor, duke zbritur në 2.54%, nga 2.57% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin shtator.
Instrumentet e huamarrjes afatgjatë po fitojnë një peshë në rritje në strukturën e huamarrjes së brendshme të qeverisë shqiptare. Aktualisht, maturiteti mesatar i borxhit të brendshëm është në nivelet më afatgjata të regjistruara ndonjëherë.
Sipas të dhënave më të fundit, në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 1045 ditë, nga 923 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2024.
Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.
Në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit, 2025-2029, Ministria e Financave e vlerëson të nevojshëm uljen e ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit të shpeshtë të borxhit, duke pasur si objektiv rritjen e përqendrimit të titujve afatmesëm dhe afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.
Sipas vlerësimeve të këtij institucioni, kushtet ekzistuese në tregjet financiare vlerësohet se vijojnë të ofrojnë mundësinë e zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit dhe balancimit të profilit të maturitetit, së bashku me uljen e peshës së borxhit afatshkurtër në totalin e portofolit të borxhit të brendshëm.
Gjithashtu, një rritje e peshës së instrumenteve afatgjatë krijon më shumë hapësira për zhvillimin e tregut dytësor të titujve. Me gjithë përpjekjet e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë zhvillim tregut dytësor, nëpërmjet projektit të titujve referencë, volumet e tregtimit në këtë segment ngelen ende modeste. /Marrë nga Monitor/ K.M
