Qeveria synon të kalojë kontrollin e ndihmës shtetërore në një autoritet të pavarur, që do të ngrihet pas ndryshimeve në ligjin “Për ndihmën shtetërore”, të nxjerra tashmë për konsultim publik. Relacioni shpjegon se ndryshimet synojnë afrimin e sistemit vendas me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas draftit, “Autoriteti për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore është organ publik, i pavarur në kryerjen e detyrave të veta”.
Drafti parashikon shfuqizimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe transferimin e kompetencave te një strukturë e re e organizuar me Këshill Drejtues dhe Sekretariat.
Këshilli Drejtues do të përbëhet nga pesë anëtarë me mandat 5-vjeçar, të zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa kandidaturat do të propozohen nga Presidenti, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi.
Projektligji vendos kritere të reja për anëtarët, përfshirë minimumi 10 vite eksperiencë profesionale dhe njohuri të dokumentuara të legjislacionit të Bashkimit Europian për ndihmën shtetërore.
Drafti kërkon gjithashtu vetëdeklarim për mungesë funksionesh drejtuese në parti politike gjatë pesë viteve të fundit, deklarim të interesave ekonomikë dhe verifikim pranë ILDKPKI-së dhe organeve tatimore.
Në dokument përcaktohet se anëtarët e Këshillit “nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik ose privat” që cenon pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre.
Një nga ndryshimet e ligjit lidhet me vendosjen e gjobave administrative ndaj ndërmarrjeve që nuk bashkëpunojnë me autoritetin ose japin informacion të pasaktë.
Sipas draftit, Këshilli Drejtues mund të vendosë gjoba deri në 1% të qarkullimit total vjetor të ndërmarrjes ose grupit të ndërmarrjeve, në rastet kur subjektet japin “informacion të pasaktë ose mashtrues”.
Projektligji parashikon gjithashtu gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore për çdo ditë vonese deri në dorëzimin e informacionit të kërkuar.
Gjoba do të konsiderohen titull ekzekutiv dhe do të zbatohen sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Civile.
Drafti i jep autoritetit kompetenca për të “urdhëruar kthimin e ndihmës së paligjshme dhe të palejueshme”, si dhe për të mbikëqyrur përdorimin dhe rezultatet ekonomike të ndihmës shtetërore. Po keshtu drafti parashikon edhe nje term per ndihmen per shpetim qe i referohet një ndërmarrje në vështirësi, për një periudhë kohore, gjatë së cilës duhet të përgatitet plani i ristrukturimit ose i likuidimit.
Projektligji parashikon që autoriteti të financohet përmes një zëri të veçantë në Buxhetin e Shtetit, ndërsa Kuvendi do të miratojë nivelet e tarifave për shërbimet e tij.
Në draft thuhet se shteti garanton “burime njerëzore, financiare dhe teknike të mjaftueshme” për funksionimin e institucionit.
Ndryshimet përfshijnë edhe forcimin e rregullave për konfliktin e interesit dhe ndalimin për ish-anëtarët që të përfaqësojnë subjekte private përpara autoritetit për një periudhë dyvjeçare pas largimit nga detyra.
Projektligji ngarkon gjithashtu Këshillin Drejtues të miratojë udhëzimet për zbatimin e ligjit “në përputhje me angazhimet e marra nga Republika e Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare”, duke përfshirë Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Europian./monitor.al
