Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Instituti i Vjenës ul parashikimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Ekonomia shqiptare do të zgjerohet në masën 3.5% nga 3.7% që pritej në raportin e pranverës. Parashikimi për dy vitet e ardhshëm mbetet i pandryshueshëm.
“Presionet inflacioniste vijuan të mbeten të moderuara dhe nën nivelin e synuar të Bankës së Shqipërisë, pasi inflacioni bazë mbetet relativisht i ulët. Politika monetare vazhdon të jetë mbështetëse për ekonominë, ndërsa sistemi SEPA, që është në funksion prej tetorit 2025, pritet të forcojë më tej integrimin financiar me Bashkimin Europian dhe të nxisë e formalizojë transaksionet ndërkufitare. Bilanci i llogarisë korrente po përfiton nga rritja e turizmit dhe dërgesave të emigrantëve.
Interesi i investitorëve të huaj direkt në Shqipëri mbetet i fortë, pavarësisht sfidave të ekonomisë globale. Megjithatë, mbiçmimi i mëtejshëm i monedhës vendase po krijon vështirësi për kompanitë e orientuara drejt eksporteve”, thuhet në raport për Shqipërinë.
Sipas Institutit të Vjenës gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po vazhdojnë të paraqesin rezultate të mira.
“Me një rritje mesatare prej 2,5% në vitin 2025 dhe 3,4% në vitin 2026, edhe pse Serbia pritet të përjetojë një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes në 2025. Turqia, ndërkohë, do të vijojë të ketë rritje relativisht të fortë si këtë vit, ashtu edhe vitin e ardhshëm (2025: 3,4%; 2026: 3,9%)”.
Më herët edhe FMN rishikoi me ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2025. Sipas raportit më të fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, ekonomia shqiptare parashikohet të zgjerohet me 3.4%, nga 3.8% që ishte pritshmëria në raportin e pranverës.
FMN thekson se bumi turistik që nxiti rritjen në 2023-2024 po humbet intensitetin, ndërsa kostoja e jetesës dhe normat e larta të interesit në Europë po ngadalësojnë ardhjet dhe shpenzimet e vizitorëve të huaj.
WIIW: Europa Lindore me rritje të qëndrueshme, por më të ngadaltë
Sipas Institutit të Vjenës pavarësisht mjedisit të vështirë ndërkombëtar dhe rreziqeve të vazhdueshme gjeopolitike, ekonomitë e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) po shfaqin një rritje krahasimisht të qëndrueshme. Megjithatë, në Rumani, Sllovaki dhe Hungari, deficitet e larta buxhetore, dobësia industriale e Gjermanisë dhe problemet e brendshme po ushtrojnë presion mbi ekonominë. Performanca ekonomike në Rusi dhe Ukrainë është gjithashtu e dobët. Këto janë gjetjet kryesore të parashikimit të ri vjeshtor të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW), që mbulon 23 vende të rajonit.
Nga një këndvështrim i përgjithshëm, modeli ekonomik i vendeve lindore të BE-së po kalon një ndryshim të thellë strukturor: “Ndërsa deri më tani konsumi privat ka qenë motori kryesor i rritjes në vendet anëtare të BE-së në Europën Qendrore e Lindore, ne parashikojmë që investimet nga sektori privat dhe ai publik të marrin një rol më të rëndësishëm, për shkak të ngadalësimit të rritjes reale të pagave,” – shpjegon Richard Grieveson, zëvendësdrejtor i ëiië dhe autor kryesor i parashikimit të vjeshtës.
Rritja e fortë e shpenzimeve për mbrojtjen ndër vendet e NATO-s në rajon po e mbështet gjithashtu rritjen ekonomike. Sipas WIIW, këto vende pritet të përfitojnë një efekt shtesë mesatar vjetor në rritjen e PBB-së prej 0,2 deri në 0,3 pikë përqindjeje gjatë viteve në vijim, ndërsa vende si Polonia dhe shtetet baltike mund të përfitojnë edhe më shumë nga shtimi i shpenzimeve për mbrojtjen.
“Europianët lindorë do të përfitojnë ekonomikisht nga riarmatimi i Europës, pasi tradicionalisht kanë pasur një industri të fortë mbrojtjeje.
Kjo mund t’i ndihmojë ata të modernizojnë bazën e tyre industriale dhe të kalojnë me sukses drejt një modeli rritjeje të udhëhequr nga inovacioni,” – shpjegon Grieveson. /Marrë nga Monitor/
