Pas muajsh përpjekjesh diplomatike dhe qëndrimesh të kujdesshme, Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar planin për një samit paqeje me Vladimir Putinin që pritej të mbahej në Budapest, duke vendosur sanksionet e para direkte ndaj Rusisë.
Sipas agjencisë Bloomberg, vendimi vjen pas një vlerësimi të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili ka arritur në përfundimin se Moska nuk ka bërë ndryshime të dukshme në qëndrimin e saj, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për arritjen e një zgjidhjeje paqësore.
Burime amerikane dhe evropiane thanë se sinjalet për këtë ndryshim u bënë të qarta kur Rubio anuloi një takim me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, pas një telefonate që, sipas raportimeve, tregoi se Rusia po përpiqej të zvarriste bisedimet për armëpushim.
Roli i Rubio-s në këtë kthesë të papritur konsiderohet i rëndësishëm, duke treguar rritjen e ndikimit të tij në politikën e jashtme amerikane, sipas Bloomberg. Ai ka mbështetur një qasje më të ashpër edhe ndaj Venezuelës, në kontrast me Steve Witkoff, të dërguarin special të Trumpit, i cili favorizon një politikë më të butë ndaj Moskës.
Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, mohoi se vendimi i Trump-it u ndikua nga Rubio. Sipas saj, presidenti mbetet drejtuesi i plotë i politikës së jashtme dhe “vepron në përputhje me strategjinë e miratuar nga ekipi i tij i bashkuar”.
Kelly gjithashtu theksoi se Witkoff nuk ka humbur ndikimin e tij tek presidenti, duke shtuar se ai po udhëton aktualisht në Lindjen e Mesme për të mbikëqyrur armëpushimin e brishtë në Rripin e Gazës.
Megjithatë, disa burime diplomatike kanë theksuar se bisedimet e mëparshme të Witkoff-it me Putinin për një samit të mundshëm në Alaskë kanë krijuar konfuzion, duke i dhënë Moskës përshtypjen se SHBA ishte gati të pranonte lëshime territoriale nga Kievi në rajonin e Donbasit, diçka që, sipas burimeve pranë Kremlinit, nuk ishte asnjëherë pjesë e planeve amerikane.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë e hodhi poshtë këtë version, duke deklaruar se Witkoff dhe Trump “po punojnë për paqe me një kuptim të plotë dhe të saktë të të gjitha faktorëve në lojë”. m.p.
