Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë 4 shtetas, të cilët ishin arrestuar dy ditë më parë, si persona që kanë prakrahur autorin e krimit të ndodhur në Manëz, Daniel Pepa, dhe kanë penguar zbardhjen e të vërtetës. Në seancën e zhvilluar të shtunën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj 4 të ndaluarve, është vendosur detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashte shtetit për 4 të arrestuarit.
Të arrestuarit ishin Ergi Kadiu, lindur dhe banues në Manëz, Taulant Beqja, lindur dhe banues në Manëz dhe Emirjan Beqja, lindur dhe banues në Manëz. Të tre kanë qenë me 21-vjeçarin Daniel Pepa. Ndërsa i arrestuari tjetër, Erald Cani, lindur në Durrës dhe banues në Manëz, i cili ka qenë në lokal me Flori Palushin.
Të katër të arrestuarit janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi”. Policia po vijon kërkimet për arrestimin e të dyshuarit kryesor 21-vjeçarit Daniel Pepa dhe Gëzim Allçi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 01:25 të së mërkurës, në fshatin Manëz, në lokalin në pronësi të familjes së ish-administratorit të njësisë administrative të Manzës. Brenda në lokal ndodheshin 5 persona, mes tyre viktima Flori Paluçi dhe tre persona të tjerë dhe kamerieri i mitur, shkruan A2 CNN.
Më pas në lokal në një moment ka hyrë 21-vjeçari Daniel Pepa. Sapo ka hyrë në lokal Daniel Pepa i ka kërkuar kamerierit që t’i bëjë një kafe, por i mituri është përgjigjur se ishte fikur ekspresi dhe nuk mund të bënte kafe.
Aty më pas Daniel Pepa ka nisur debatin me kamerierin dhe dyshohet se e ka qëlluar me një çantë krahu që e mbante me vete. Pas këtij veprimi ka ndërhyrë Flori Paluçi duke i thënë Daniel Pepës që të mos merrej me kamerierin. Midis tyre ka pasur debat, por kanë ndërhyrë personat e tjerë.
Sipas gazetarit të A2 CNN Igli Çelmeta, gjithë shkaku i konfliktit është ky sherr, bazuar në dëshmitë e personave prezent, edhe pse policia po heton edhe pista të tjera. Pas këtij momenti Daniel Pepa është larguar me makinë dhe është rikthyer pas 3-4 minutash, bashkë më dy shokët e tij Ergi Kadiun dhe Aranit Kurtin. m.p.
