Një uragan i ngadaltë, por vdekjeprurës, po lëviz drejt Xhamajkës, duke kërcënuar të shkaktojë reshje të dendura dhe erëra shkatërruese në ishull.
Uragani “Melissa”, i cili herët të hënën u klasifikua si stuhi e kategorisë pesë, pritet të godasë Xhamajkën në orët e para të së martës.
Autoritetet frikësohen se “Melissa”, e cila tashmë është bërë shkak për vdekjen e katër personave në ishullin Hispaniola, mund të bëhet uragani më i fuqishëm që ka goditur ndonjëherë Xhamajkën.
Siç shkruan BBC, meteorologët paralajmërojnë se ngadalësimi i lëvizjes së “Melissa”-ës do të shkaktojë reshje të dendura në zonat e prekura për një kohë më të gjatë, duke rritur rrezikun e përmbytjeve vdekjeprurëse dhe rrëshqitjeve të dheut.
“Kjo potenciale për reshje ekstreme, për shkak të lëvizjes së ngadaltë, do të krijojë një ngjarje katastrofike këtu për Xhamajkën,” tha Jamie Rhome, zëvendësdrejtori i Qendrës Kombëtare të Uraganeve (NHC) në SHBA.
Qeveria e Xhamajkës ka urdhëruar evakuimin e pjesëve të kryeqytetit, Kingston, dhe i gjithë ishulli është klasifikuar si “i kërcënuar”.
Uragani ka shpejtësi maksimale të erës prej 165 mph (270 km/h) dhe meteorologët paralajmërojnë se mund të forcohet më tej në 12 deri 24 orët e ardhshme. Meteorologët thonë se erërat shkatërruese dhe valët e rrezikshme do të godasin Xhamajkën gjatë natës së së hënës ose në orët e para të së martës.
Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të disa komuniteteve të rrezikuara në ishull.
Në një postim në X, ai u bëri thirrje të gjithëve “të përgatiten, të qëndrojnë brenda gjatë stuhisë dhe të respektojnë urdhrat e evakuimit”. “Ne do të përballojmë këtë stuhi dhe do të rindërtohemi më fort,” shkroi ai.
Në disa zona rurale, autobusët e shkollave u përdorën për të transportuar njerëzit e cenueshëm në strehimore. Pikat e pagesës për autostrada u hapën për të shmangur radhët.
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe qindra shtëpi janë përmbytur në Haiti, ndërsa “Melissa” solli reshje të dendura në ishullin Hispaniola.
Në Republikën Dominikane, një person gjithashtu ka ndërruar jetë./e.t
