Të dhënat më të fundit të Eurobarometrit treguan sot se më shumë se gjysma, konkretisht 56 për qind e banorëve të Bashkimit Evropian, mbështesin zgjerimin e kësaj bashkësie, ku përparësi kanë banorët e pjesëve veriore të Unionit, ndërsa mbështetja më e ulët u shpreh nga qytetarët e pjesëve qendrore.
Sipas sondazhit të Eurobarometrit, mbështetja më e madhe vjen nga Suedia (79 për qind), Danimarka (75 për qind) dhe Lituania (74 për qind), ndërsa rezerva më e madhe për zgjerimin e shkaktuan Austria (45 për qind), Çekia (43 për qind) dhe Franca (43 për qind).
Të rinjtë evropianë, sipas transmetimit të Euronews, shprehin veçanërisht mbështetje për zgjerimin, ku grupmosha 15–24 vjeç shfaq 67 për qind mbështetje, ndërsa 63 për qind e personave nga 25 deri në 39 vjeç ndajnë të njëjtin qëndrim.
“Mbështetja vjen kryesisht nga të rinjtë dhe individët e arsimuar, gjë që nuk është befasuese. Zakonisht këta janë ata që kanë kuptim dhe mbështesin iniciativa të tilla”, tha Korina Stratulat, zv/drejtoreshë e Qendrës Evropiane për Politika.
Studimi gjithashtu tregon se 37 për qind e të anketuarve besojnë se zgjerimi do të forcojë ndikimin e BE-së në botë, ndërsa 37 për qind mendojnë se do të forcojë tregun evropian.
Një e treta e qytetarëve, konkretisht 30 për qind e banorëve, beson se zgjerimi do të kontribuojë në solidaritet më të madh midis anëtarëve.
“Megjithatë, do të ishte mirë që politikanët të shfrytëzonin valën e mbështetjes publike për të qenë më ambiciozë dhe të vepronin në drejtim të mirëseardhjes së vendeve të reja në BE, si dhe për të kryer punën e nevojshme për përgatitjen e pranimit të vendeve të reja në tryezën e vendimmarrjes”, tha Stratulat.
Megjithatë, zgjerimi shkakton edhe shqetësime. Sondazhi tregon se 40 për qind e qytetarëve përmendin imigracion të pakontrolluar, 39 për qind theksojnë rreziqet nga korrupsioni dhe krimi, ndërsa 37 për qind shqetësohen për koston që do të sjellë ky zgjerim për tatimpaguesit.
Për të qenë i suksesshëm ky proces politik, qytetarët e BE-së mendojnë se zgjerimi duhet të shoqërohet me masa për garantimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, gjë që theksojnë 44 për qind e të anketuarve.
Gjithashtu, 38 për qind kërkojnë që vendet kandidate të marrin angazhime të qarta për zbatimin e reformave të BE-së. m.p.
