Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, Fatos Nano.
Salianji shprehet se Fatos Nano krijoi një parti moderne të majtë ku lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, si dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot.
“Fatos Nano, një nga personalitetet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, drejtues historik i Partisë Socialiste dhe një nga protagonistët e pluralizmit pas viteve ’90.
Edhe pse në krahë të ndryshëm politikë, Fatos Nano përfaqësonte një profil të veçantë, liberal në mendim, i hapur ndaj debatit, me kulturë politike dhe respekt për mendimin ndryshe.
Ai krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i paharruar.”-shkruan ai. m.p.
