Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, ishin në IEVP Pojskë për të ndjekur nga afër ekzaminimin me makinën e mamografisë të grave që janë akomoduar në këtë institucion si dhe punonjëseve të administratës.
Klevis Qose: Faleminderit për mbështetjen që na jepni.
Eugena Tomini: Faleminderit edhe ju për interesin, sepse është shumë e rëndësishme kur solidarizohen institucione të këtij profili në drejtim të një sensibilizimi të tillë, sepse kanceri i gjirit është aq i heshtur nga ana fiziologjike, epidemiologjike dhe klinike, sa që ka shumë rëndësi depistimi i hershëm. Kjo merr vlerë edhe përkundrejt profilit tuaj si institucion.
Klevis Qose: Ne, institucionin e Pojskës, e kemi një nga institucionet më delikate, sepse është një institucion ku vuajnë dënimet të paraburgosurat dhe të dënuarat gra. Për këtë arsye, kjo lëvizja juaj me këtë automjet për të kryer mamografinë në mënyrë sa më të shpejtë dhe për t’u ndier më afër grave, besoj se do t’u vijë goxha në ndihmë.
Eugena Tomini: Instituti i Shëndetit Publik, sigurisht me këtë program dhe Ministria e Shëndetësisë, duke forcuar rolin e depistimit në popullatën e gjerë dhe në institucione të këtij niveli, merr vlera të veçanta. Edhe interesi juaj, jo vetëm në muajin tetor, por edhe gjatë gjithë vitit, është shumë i rëndësishëm. Me Institutin e Shëndetit Publik do të jemi në dispozicion për ato zonja apo gra që nuk e kanë kryer ende mamografinë, ose për arsye fiziologjike apo shëndetësore sot nuk munden ta kryejnë.
Klevis Qose: Duke qenë se vitin që kaloi nuk kemi pasur asnjë rast dhe ishim shumë të lumtur, sot nuk mund ta themi këtë. Fakti që e kemi konstatuar në mënyrë kaq të shpejtë, na bën të ndihemi më të qetë.
Dorina Toçi: Gjithsesi, imazhet i dërgohen mjekut radiolog të specializuar dhe ai pastaj jep rekomandimin përkatës se ku duhet të referohet gruaja për ndjekje të mëtejshme.
Eugena Tomini: Për herë të parë po e bëni këtu?
Gruaja: Po, e bëj për të tretën herë. Një falënderim shumë i madh, sepse parandalohet një jetë.
Eugena Tomini: Plotësisht e drejtë. Nuk keni pasur asnjë problem?
Gruaja: Jo. Shumë faleminderit nga ana juaj.
Eugena Tomini: Faleminderit edhe ju që përgjigjeni dhe tregoni kujdes ndaj vetes, sepse pavarësisht kushteve tuaja të qëndrimit, për shkak të arsyeve që i dini shumë mirë, është e rëndësishme që shëndeti të jetë primar. Kujdesuni për veten, sepse vjen një ditë që dënimi përfundon dhe duhet të jemi të shëndetshëm.
Klevis Qose: Gratë janë një forcë e madhe në jetën shoqërore dhe në punë. Integrimi dhe risocializimi i të dënuarve bëhet me shumë përkushtim nga stafi që merret me rehabilitimin dhe riintegrimin, dhe për këtë arsye meritoni vërtet një mirënjohje shumë të thellë nga ana ime.
