Nga Mentor Kikia
Pas një shkrimi për çështjen e edukimit të nxënësve, rolin e shkollës dhe të ligjit, një komentues nga Lezha, një specialist i monumenteve të kulturës, solli rastin e vandalizimit të monumentit “Lahuta e Malësisë” në Lezhë.
Ky është, pa dyshim, një akt i rëndë dhe i pajustifikueshëm.
Por specialisti i monumenteve ia faturon këtë mungesë kulture dhe edukate “juve”.
Kush janë “ju”?
Ne të medias? Po, kemi përgjegjësinë tonë.
Ata të shkollës? Po, kanë përgjegjësinë e tyre.
Familjet? Po, kanë përgjegjësinë e tyre.
A ka të tjerë?
Po, ka! Pushteti vendor me institucionet e tij të kulturës dhe edukimit, pushteti qendror me institucuinet e tij të kulturës dhe edukimit…
A jeni të sigurt se ata fëmijë që i kanë hipur “Lahutës…” e dinin se çfarë është ajo dhe se çfarë përfaqëson ai instalacion!
Unë ndodhem aktualisht në kryeqytetin e një vendi të BE-së.
Shikojeni pak foton e dytë. Janë nxënës, të cilët mësuesja po i shoqëron në muze.
Brenda muzeut, në çdo pavijon, kishte grupe nxënësish të vegjël, të cilëve u flitej për artin dhe historinë.
Përse nuk e bëjmë edhe ne këtë?
Sepse të gjithë ne themi: Ju!
Por edukimi nuk është mall që blihet në market. Është produkt i një zinxhiri që quhet SISTEM.
Familja, shkolla dhe qeveria përmes institucioneve të kulturës, si muzetë, teatrot dhe turet informuese si pjesë e edukimit, institucionet e fesë dhe secili prej nesh si pjesë e shoqërisë.
Pra, duhet të themi: NE!
Ata fëmijë mbi Lahutën e Malësisë janë përgjegjësia JONË!
