Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur këtë të hënë, më 3 nëntor, në Hagë për një vizitë zyrtare në Holandë. Sipas një njoftimi nga Ministria për Punët e Jashtme, ajo do të pritet nga homologu i saj holandez, David van Weel, me të cilin do të firmosë edhe një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në kontekstin e mbështetjes për integrimin europian të Shqipërisë.
Në këtë takim, Spiropali do të falenderojë ministrin e Jashtëm për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda muajit nëntor të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Takimi gjithashtu do të shërbejë për të diskutuar mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.
Gjatë vizitës së saj, ministrja Spiropali do të vizitojë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e Paraburgimit të Gjykatës Speciale. Ajo gjithashtu do të mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, ku do të bisedojë me studentët dhe akademikët e Programit të Studimeve Europiane mbi agjendën e reformave dhe standardet europiane që Shqipëria po ndjek.
Vizita do të përmbyllet në ambientet e Ambasadës shqiptare në Hagë, ku Spiropali do të takohet me rrjetin e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë në Holandë, duke forcuar lidhjet mes komunitetit shqiptar dhe atij akademik dhe profesional europian./kb
