Last Updated on 03/11/2025 by Kesjana
Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot, 3 nëntor, në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë.
Ekspertë nga brenda dhe jashtë vendit do të ndajnë dijen, inovacionin dhe vizionin e përbashkët për një bujqësi që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale.
Prezent është edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Rektori: UBT po reformohet

Pritet fjala e kreut të qeverisë, teksa kjo e hënë shënon 74-vjetorin e themelimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
“UBT ka pronësinë e një prej konferencave më të rëndësishme në rajon”, u shpreh fillimisht rektori i këtij Universiteti, Fatbardh Sallaku.
“Sot festojmë 74 vite punë, dituri e përkushtim. Më lejoni të falenderoj donatorët dhe partnerët tanë që kanë bërë të mundur organizimin e këtij eventi dhe shumë nismave të tjera”, shtoi ai.
Sallaku falenderoi numrin një të kabinetit qeveritar për vëmendjen që i ka dhënë UBT-së ndër vite.
Theksoi se ky institucion po shndërrohet në një kampus modern, me një numër të lartë profesorësh e kërkues shkencorë.
“Kjo histori suksesi mban gjurmën tuaj zoti kryeministër”, i tha rektori Ramës.
“Një histori suksesi në ndërtim që flet më shumë se çdo perceptim i gabuar. UBT po reformohet, për t’u rilindur në funksion të një qëllimi të ri, për ta bërë universitetin të pranishëm në çdo pjesë të këtij vendi. Reforma nuk është e lehtë, ka pasur debate, një universitet që debaton është një universtiet që jeton. Nga përplasja e mendimeve lind qartësia e vizionit”, shtoi Sallaku.
Bergner: Integrimi në BE ofron qasje në tregje të mëdha

Karl Bergner, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, tha se “Shqipëria është e bekuar me burime natyrore, klimë të favorshme dhe një traditë të punës së madhe”.
Theksoi se integrimi europian për vendin tonë është një mundësi transformuese.
“Ofron qasje në tregje më të mëdha e të vlefshme, e me gjasë me çmima më të mira dhe me politika që nxisin qëndrueshmërinë dhe novacionin”, tha ai.
“Na duhet të përshtatemi e të bashkëpunojmë me standardet e BE-së. Kemi folur gjatë për përshtatjen, është koha tashmë të veprojmë!”, përfundoi ambasadori./kb
