KFOR-i ka reaguar pas raportimeve për plagosjen dhe rrëmbimin e një shtetasi serb të Kosovës, që dyshohet se është marrë nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.
Misioni paqeruajtës i NATO-s bëri me dije se situata në kufi aktualisht është e qetë, ndërsa konfirmoi se është në dijeni për rastin në fjalë.
“KFOR-i është informuar për incidentin dhe mbetet në kontakt të ngushtë me autoritetet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Klan Kosova.
Më tej, KFOR-i thekson se Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe po punon në koordinim të plotë me misionin e NATO-s.
“Policia e Kosovës (PK) ka filluar një hetim dhe mbetet në kontakt të ngushtë për këtë qëllim me disa subjekte, përfshirë KFOR-in. PK-ja ka koordinuar aktivitetin e saj përkatës në anën e Kosovës të Vijës Kufitare Administrative me KFOR-in”, deklaroi misioni i NATO-s./ K.M
