Për katër ditë me radhë, Jakup Krasniqi ka qëndruar pranë familjes së tij në shtëpinë në Velani të Prishtinës, ku ai u soll nën shoqërimin e forcave të EULEX-it. Gjatë ditës ai qëndronte me familjarët, ndërsa natën e kalonte në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë. Arsyeja e vizitës së tij në Kosovë ishte gjendja shëndetësore e bashkëshortes, Sevdije.
Ndërkohë, dy fotografi të shkrepura në periudha të ndryshme të jetës së tij kanë rikthyer në vëmendje rrugëtimin e Jakup Krasniqit. Ajo që bie në sy është se pavarësisht viteve që kanë kaluar, ai vazhdon të ruajë të njëjtën mënyrë përshëndetjeje, si në kohën kur ishte i veshur me uniformën e UÇK-së, ashtu edhe sot.
Në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë, Krasniqi, në pamundësi për t’i takuar nga afër i ka përshëndetur me dorë nga oborri i shtëpisë vëllain dhe familjarët e tjerë, të cilët po e përcillnin nga ballkoni i shtëpisë përballë.
Sot, Jakup Krasniqi pritet të udhëtojë me avion special drejt Hagës. Vizita e tij u përcoll me emocione të shumta, por edhe me diskutime lidhur me kufizimet për takimet me familjarët dhe bashkëluftëtarët./et
