Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë të ashpër për median, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar aferën e tunelit të Llogarasë si një “skemë të pastër korrupsioni të dirigjuar nga vetë Belinda Balluku dhe e mbrojtur nga Edi Rama”.
Ai shtoi se ministrja ka ndërhyrë personalisht në favor të një kompanie turke, duke komunikuar me drejtuesit e saj disa ditë para hapjes së tenderit. “Në dosje gjenden mesazhe ku administratori i kompanisë i shkruan Ballukut për një kompani partnere që, citoj, ‘është e njohur, e vlerësuar dhe një referencë për presidentin e Turqisë’. Kjo tregon qartë nivelin e lidhjeve politike që u përdorën për të ndikuar garën,” tha ai.
Bardhi e akuzoi Ballukun se e ka kthyer ministrinë në një “zyrë private transaksionesh”, ku shteti drejtohet përmes telefonit, mesazheve dhe lidhjeve personale. “Kriteret u përshtatën për të shpallur fituese kompaninë e paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. Dhe kjo është arsyeja pse Rama sot nuk guxon ta shkarkojë. Çdo shkelje e ligjit është bërë me urdhër të saj, madje dhe në shtëpinë e saj janë bërë llogaritjet për ndarjen e milionave të euros,” nënvizoi ai. /K.M
