Last Updated on 05/11/2025 by EL
Ndërhyrja e shefit të diplomacisë shqiptare Ilirian Kuka në ndihmë të një familje shqiptare, ka rezultuar vendimtare për fatin e vogëlushes së tyre, e cila ishte diagnostikuar me sëmundje të keqe dhe kishte nevojë për transplant të palcës kurrizore.
Sot, fatmirësisht ajo gëzon shëndet të plotë dhe e ka kaluar sfidën e madhe shëndetësore, ndërsa familja ka shkuar në Ambasadën e Shqipërisë në Hungari për të falenderuar diplomatin Ilir Kuka për ndërhyrjet që i dhanë jetë vogëlushes.
Vitin e kaluar, vajza 3 vjeçare ka shfaqur probleme shëndetësore dhe mjekët nuk e gjenin dot shkakun, ndaj familja Xhepa vendosi të udhëtonte drejt Budapestit.
Atje, u konstatua se ajo kishte sëmundje të keqe dhe i nevojitej menjëherë transplant i palcës së shtyllës kurrizore, por kostot spitalore ishin tepër të larta, qoftë ditore por edhe ato të operacionit. Shteti hungarez vlerësoi se shkonin në 400 mijë euro.
Veç kësaj, vogëlushes i duhej dhe një dhurues dhe nga analizat, rezultoi se i vëllai kishte përputhshmëri 100%. Kur dhe dhuruesi u gjet, sfidë ishte gjetja e parave dhe mbulimi i shpenzimeve marramendëse.
Ambasadori Ilirian Kuka sapo e kishte marrë detyrën dhe me të dëgjuar për rastin e vështirë të familjes shqiptare, ai bëri çdo ndërhyrje të mundshme diplomatike, për të ndihmuar në shërimin e vajzës, e cila sot është bërë një kukull e bukur dhe i ka zbukuruar zyrën me vizitën e saj.
Falë lëvizjeve të tij, shteti hungarez ka marrë përsipër të gjitha kostot e operacionit dhe të rikuperimit të vajzës, atëkohë 3 vjeçe, kurse siguracioni i shtetit vlerësoi shifrën deri në 400.000 euro./e.t
