Nga Leonard Veizi
Në mbrëmjen e ftohtë të 8 nëntorit 1941, – e cilësuar si vjeshta e tretë, – në një shtëpi të thjeshtë në Tiranë, një grup të rinjsh u mblodhën fshehurazi për të themeluar një organizatë politike që do të ndryshonte rrjedhën e historisë shqiptare për dekada me radhë. Kjo lëvizje erdhi si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Pushtimit Fashist Italian, i cili kishte tjetërsuar sovranitetin dhe kishte krijuar një vakum legjitimiteti pas largimit të Mbretit Zog I. Megjithatë, ajo që thuhet në manualet e botuara rëndom para viteve ’90 theksonte vetëm dimensionin heroik, ndërsa historia pasuese do të ishte shumë më komplekse.
Komunistët shqiptarë fillimisht ishin të organizuar në grupe të vogla, të fragmentuara ideologjikisht dhe të dobëta në terren: si Grupi i Shkodrës, Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve dhe Grupi “Zjarri”. Megjithatë, katalizatori vendimtar për bashkimin e tyre erdhi nga jashtë. Koordinimin dhe ‘lindjen’ organizative e siguroi malazezi Miladin Popoviç, emisar i Partisë Komuniste Jugosllave.
Kështu, Partia Komuniste Shqiptare lindi, jo vetëm nën frymëzimin e ideologjisë marksiste-leniniste, por në mënyrë të drejtpërdrejtë nën kujdesin dhe mentorimin e emisarëve jugosllavë, duke vendosur që në start një marrëdhënie varësie gjeopolitike, në një kohë kur vendi ishte nën zgjedhën e pushtimit italian.
Ajo që nisi si një lëvizje ilegale çlirimtare, e cila synonte bashkimin e grupeve komuniste lokale në luftën kundër fashizmit, do të shndërrohej pas vitit 1944 në forcën absolute dhe të padiskutueshme të pushtetit politik në Shqipëri. Partia nuk mori vetëm pushtetin politik, por zhduku dhe neutralizoi të gjithë rivalët e saj realë apo potencialë, sidomos forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, duke e kthyer fitoren e vitit 1944 në një revolucion të dhunshëm social që theu lidhjet me traditat dhe klasat e vjetra. Me Enver Hoxhën në krye, Partia Komuniste jo vetëm mori kontrollin e shtetit, por ndërtoi një sistem njëpartiak dhe totalitar, që për 45 vjet do të dirigjonte çdo frymëmarrje të jetës shqiptare.
Në vitet e pasluftës, Partia Komuniste – e cila më vonë do të quhej Partia e Punës e Shqipërisë – shpalli reforma të thella si reforma agrare, industrializimi i vendit dhe kolektivizimi i bujqësisë, duke vendosur njëkohësisht izolimin politik dhe ideologjik nga bota Perëndimore. Shqipëria u kthye në një nga regjimet më të mbyllura të Europës Lindore, ku kontrolli shtetëror mbi jetën publike e private ishte gjithëpërfshirës dhe i hekurt.
Ndërkohë, Shqipëria ndërrmori një akt pa precedent. Duke shpallur veten “shtet ateist” në vitin 1967, ajo u bë i vetmi vend në botë që ndaloi me ligj çdo formë besimi, një akt që shënoi shkeljen më radikale të të drejtave dhe traditave shekullore. Partia e zëvendësoi besimin fetar me kultin e diktaturës së proletariatit dhe udhëheqësit. Të gjitha institucionet fetare u mbyllën, pronat e tyre u konfiskuan, dhe praktikat fetare u ndëshkuan rëndë. Në këtë akt ideologjik ekstrem, regjimi kërkoi të zëvendësonte hyjninë me Partinë, duke e kthyer Shqipërinë në një laborator të egër dhe të izoluar të inxhinierisë sociale.
Për dekada, partia u prezantua si “udhëheqësja e lavdishme e popullit”, por pas rënies së saj në fillim të viteve ’90, historia do ta gjykonte ndryshe: si organizmi që mbajti një popull të tërë nën diktat për 45 vjet, në një realitet të ngurtë ideologjik dhe thellësisht represiv.
Sot, 8 Nëntori 1941 mbetet një datë me dy faqe në kujtesën kombëtare: për disa, simbol i fillimit të luftës antifashiste dhe fitores mbi pushtuesit; për të tjerët, dita e errët kur u hodhën themelet e diktaturës komuniste shqiptare.
