Peruja ka shpallur presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, si person “non grata”, duke i ndaluar hyrjen në vend, disa ditë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Meksikën për shkak të një konflikti në rritje.
Kongresi i Perusë votoi të enjten me 63 vota pro dhe 34 kundër për të ndaluar simbolikisht Sheinbaum të hyjë në vend, pas vendimit të qeverisë së saj për t’i dhënë azil politik ish-kryeministres peruane, Betssy Chavez, e cila ishte strehuar në ambasadën meksikane në kryeqytetin Lima.
Termi “non grata” përdoret zakonisht për diplomatët e huaj dhe i detyron ata të largohen nga vendi pritës. Presidenti i Kongresit të Perusë, Fernando Rospigliosi, tha se ky veprim është një shenjë mbështetjeje për qeverinë dhe vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet me Meksikën, sipas gazetës meksikane El Pais.
Gjatë debatit të së enjtes, deputeti Ernesto Bustamante akuzoi Sheinbaum për lidhje me trafikantë droge.
“Nuk mund të lejojmë që dikush i tillë, i lidhur me trafikantë droge dhe që shpërqendron popullin e tij nga problemet reale, të përfshihet në çështjet e brendshme të Perusë”, tha Bustamante.
Chavez, e cila është në gjyq për përfshirje në një tentativë të supozuar grushtshteti në vitin 2022, iu drejtua ambasadës meksikane në Lima këtë javë, ku i është dhënë azil politik. Ministri i Jashtëm i Perusë, Hugo de Zela, e quajti vendimin e Meksikës një “akt jo miqësor” që ndërhyn në çështjet e brendshme të vendit.
Ministria e Jashtme e Meksikës ka theksuar se veprimi i saj është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe nuk përbën ndërhyrje në çështjet e brendshme të Perusë.
Deri tani, Lima nuk ka ofruar rrugë të sigurtë për Chavez që të largohet nga ambasada dhe të udhëtojë drejt Meksikës. Ish-ministrja e Kulturës dhe ish-kryeministrja e përkohshme e Presidentit Pedro Castillo nga nëntori deri në dhjetor 2022, përballet me deri në 25 vjet burg nëse shpallet fajtore, por mohon çdo përfshirje në këtë plan./ K.M
