Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Milani po vijon punën në merkato për të gjetur një përforcim të ri në repartin e sulmit. Sipas të përditshmes italiane “Tuttosport”, drejtuesit kuqezi po vlerësojnë mundësinë e afrimit të sulmuesit të Stuttgart, Ermedin Demirovic.
Emri i futbollistit të kombëtares së Bosnjës ka fituar rëndësi të veçantë në planet e klubit italian gjatë ditëve të fundit. Ky orientim vjen kryesisht për shkak të vështirësive dhe kostove të larta financiare që paraqesin dy pistat e tjera të merkatos, Tresoldi dhe Endrick.
Profili i Demiroviç vlerësohet veçanërisht nga drejtuesi i ri i sektorit të futbollit te Milani, Markus Krosche. Ky i fundit e njeh mirë sulmuesin dhe e ka ndjekur nga afër zhvillimin e tij prej një kohe të gjatë.
Strategjia e drejtuesve kuqezi është e qartë në lidhje me ekuilibrat brenda skuadrës. Synimi është të afrohet një lojtar i besueshëm që të shërbejë si alternativë për Gonsalo Ramosin, pa e ulur peshën e portugezit, i cili mbetet blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit të Milanit.
Paraqitjet e Demiroviçit në këtë sezon me fanellën e Shtutgartit konfirmohen edhe nga shifrat e tij personale. Ai ka arritur të shënojë 9 gola në total, duke realizuar 5 herë në 9 ndeshje të kampionatit gjerman dhe 4 gola në 4 takime të zhvilluara në Ligën e Kampioneve.
Këto statistika dhe rritja e vazhdueshme e formës së tij kanë tërhequr vëmendjen edhe të disa klubeve nga Premier Liga angleze. Megjithatë, situata aktuale kontraktuale mund të krijojë kushte të favorshme për një lëvizje të Milanit.
Sulmuesi ka një kontratë të vlefshme me klubin e Shtutgartit deri në vitin 2028. Për momentin, palët nuk kanë arritur një marrëveshje për rinovimin e saj, një faktor që mund të lehtësojë nisjen e negociatave që në merkaton e muajit janar.
Përveç aspektit financiar, Demiroviç bind edhe në planin taktik falë fleksibilitetit që ofron në fushën e blertë. Futbollisti i lindur në Gjermani, por me kombësi boshnjake, mund të luajë pa vështirësi si sulmues i dytë, por edhe si sulmues anësor.
Kjo veçori pëlqehet shumë nga trajneri Ruben Amorim. Aktivizimi i tij në disa role të sulmit do t’i jepte mundësinë teknikut që ta përdorë Demiroviçin jo vetëm si zëvendësues të Gonsalo Ramosit, por edhe në fushë krah sulmuesit portugez./mxh
