Last Updated on 09/11/2025 by Kesjana
Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF 2025), i zhvilluar nga 5 deri më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve, u hap këtë vit me moton “Windows into the Future”, duke reflektuar vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit drejt objektivave të “Shqipëria 2030”.
Në qendër të këtij edicioni qëndron koncepti i “dritareve drejt së ardhmes”, një hapësirë ku vizitorët përjetojnë përmes projeksioneve 3D dhe eksperiencave multisensoriale projektet që po transformojnë Shqipërinë në dekadën e ardhshme. Klik Ekspo Group vijon të mbetet platforma ku bashkohen inovacioni, biznesi dhe zhvillimi ekonomik i rajonit.
Korporata Shqiptare e Investimeve: 70 projekte në proces, 20 në fazë të avancuar
Një ndër panelet më të rëndësishme të këtij edicioni ishte ai i prezantimit të reformave dhe nismave të qeverisë për forcimin e bashkëpunimit mes investitorëve vendas dhe të huaj, ku mori pjesë edhe Elira Kokona, Drejtoreshë e Korporatës Shqiptare tëInvestimeve.
Në fjalën e saj, Kokona falënderoi organizatorët e panairit dhe e cilësoi eventin si një mundësi konkrete për investitorët që kërkojnë të njohin potencialin e tregut shqiptar.
“Ky është një event që u jep mundësinë të gjithë investitorëve vendas dhe të huaj të shprehin interesin e tyre dhe të shohin mundësitë e investimeve në Shqipëri.
Por ajo që është e rëndësishme, Korporata e Investimeve bashkë me partnerët kanë organizuar disa panele shumë interesante lidhur me tema të ndryshme për të mundësuar një reflektim të situatës atje ku jemi”, u shpreh ajo.
Sipas Kokonës, Korporata numëron aktualisht rreth 70 projekte, nga të cilat mbi 20 janë në fazë të avancuar.
“Këto janë projekte që kanë kaluar fazën e konceptimit, të marrjes së nevojave, të negociimit me partnerët publikë dhe privatë, si dhe fazën e konkurseve ndërkombëtare. Pjesa më e madhe prej tyre janë në faza të avancuara të negociimit të kontratave ose në detajimin e saktë të projektit financiar”, shtoi ajo.
Kokona bëri të ditur se projektet janë të aksesueshme në faqen zyrtare të Korporatës, ndërsa një pjesë tjetër ndodhen ende në fazën e konceptimit:
“Në këto raste, ekspertët tanë së bashku me institucionet publike apo private po diskutojnë për të parë nëse sektori mund të ngjallë interes, si për të arritur një të mirë publike, ashtu edhe për rritjen e vlerës në interes të Korporatës”, theksoi drejtoresha.
Një ndër projektet më të spikatura është Durana Tech Park, që përbën një nismë të rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit.
“Janë rreth 10 projekte në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit dhe rol kryesor merr Durana, së bashku me sfidat që sjell zhvillimi i këtij parku”, shtoi Kokona.
Durana Tech Park, jo vetëm një qendër teknologjike, por një model bashkëpunimi.
Përfaqësuesja e Durana Tech Park u shpreh se ajo që parku shet në vetvete është bashkëpunimi mes kompanive, midis startupeve, por mbi të gjitha mes universiteteve dhe akademisë që do jenë pjesë në të ardhmen.
“Ajo që shikojmë si vizion në të ardhmen është që këta aktorë të integrohen aq mirë me njëri-tjetrin dhe të bëjnë projekte të përbashkëta me qëllim rritjen e fuqisë punëtore”, u shpreh a
Durana po operon aktualisht në mënyrë virtuale, me synimin për të testuar interesin e kompanive të huaja.
“Hapëm një thirrje që vazhdon për të gjithë ata që janë të interesuar të bëhen pjesë e parkut virtualisht. Gjatë panairit kishim rezidentët e parë të parkut, të cilët ndanë eksperiencën e tyre pesëmujore që nga momenti i aplikimit deri sot.
Ata kanë nisur tashmë bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta, që është edhe qëllimi ynë kryesor: krijimi i një komuniteti aktiv, jo thjesht përfitime fiskale”, përfundoi përfaqësuesja e Durana Tech Park.
AIDA: Shqipëria, treg i qëndrueshëm dhe partner i besueshëm për investitorët e huaj
Në të njëjtin panel, drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Plaku, solli një panoramë të detajuar të performancës së investimeve të huaja në Shqipëri dhe masave që po ndërmerr qeveria për të rritur konkurrueshmërinë e vendit.
“Vitin e kaluar u arrit niveli pik i investimeve të huaja, 1.4 mld euro, një shifër rekord. Ajo përbëhet nga shumë komponentë ku AIDA është një pjesë e rëndësishme, por mbi të gjitha reflekton qasjen e qeverisë dhe një nivel të ri besimi që e sheh Shqipërinë si një treg të qëndrueshëm dhe të besueshëm”, theksoi Plaku.
Sipas saj, sfida kryesore e viteve të kaluara ishte mungesa e qëndrueshmërisë në projektet e mëdha të investimeve, por tashmë kjo po ndryshon falë reformave ligjore dhe bashkëpunimit institucional.
“Në ligjin për investimet strategjike janë përfshirë sektorë prioritarë si turizmi, bujqësia, energjia dhe zonat e lira ekonomike, të cilët mbeten më dinamikët në ekonominë shqiptare. Megjithatë, ne nuk ndalemi vetëm këtu çdo sektor që sjell zhvillim dhe punësim është i mirëpritur, qoftë shëndetësia apo mbrojtja”, tha Plaku.
Ajo sqaroi se AIDA ofron mbështetje të pakufizuar për çdo investitor të huaj që dëshiron të zhvillojë aktivitet në Shqipëri.
“After Care është një sektor i dedikuar tek AIDA për investitorët ekzistentë, të huaj dhe vendas, pasi legjislacioni ynë i trajton njësoj.
Themi ‘të huajt’ sepse ata kanë nevojë për një partner, për një derë ku të trokasin, për të naviguar më lehtë në mjedisin tonë ekonomik. Ne jemi këtu për ta bërë këtë proces sa më të thjeshtë,” – shpjegoi ajo.
Plaku foli edhe për nismën “Investors Support Days”, një projekt që synon krijimin e një platforme dialogu mes investitorëve dhe institucioneve publike:
“Është viti i dytë që kemi hedhur këtë nismë dhe e kemi ndarë në bazë shtetesh. Sapo kemi përfunduar me Zvicrën, ndërsa në vijim kemi takime me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Vitin e kaluar përfshimë 6 shtete të tjera.
Janë komunitete biznesi nga vende të ndryshme, me pjesëmarrjen e Doganave, Tatimeve, Ministrisë së Ekonomisë dhe AIDA-s. Ne i dëgjojmë, i pyesim për nevojat e tyre dhe ofrojmë zgjidhje konkrete për projektet që duan të investojnë në Shqipëri”, theksoi Plaku.
Raiffeisen Bank, financim dhe partneritet për projektet e teknologjisë
Përfaqësuesja e Raiffeisen Bank Elona Koçi, theksoi rolin e bankës si lehtësuese e proceseve ekonomike dhe partnere e projekteve inovative si Durana Tech Park.
“Duke marrë Duranën, kemi qenë ndër të parët që kemi parë projektin dhe kemi shprehur interesin tonë si një nga projektet më interesante që është duke u zhvilluar në Shqipëri.
E kemi parë nga dy aspekte: si klient që do ta ndihmojmë me kënaqësi në rritje, dhe si mundësi që kompanitë tona të përfitojnë nga prezenca në Durana”, tha Koçi.
Ajo shtoi se Raiffeisen Bank është një nga institucionet më të avancuara në fushën e digjitalizimit:
“Në teknologji jemi ndër bankat që kemi investuar më herët dhe më shumë se të tjerat. Pjesën më të madhe të platformave dhe produkteve tona e ofrojmë tashmë në mënyrë digjitale”, përfundoi ajo./kb
