Në Danimarkë pritet të përcaktohet me ligj një moshë minimale ligjore për përdorimin e mediave sociale. Qeveria në Kopenhagë ra dakord me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament për të vendosur në të gjithë vendin si kufi moshën 15 vjeç për lejimin e përdorimit të platformave të caktuara të mediave sociale. Megjithatë prindërvedo t’u jepet mundësia që t’u lejojnë fëmijëve të tyre të regjistrohen në këto rrjete që në moshën 13 vjeç.
Ministria daneze e Çështjeve Digjitale deklaroi se legjislacioni synon të mbrojë më mirë fëmijët dhe të rinjtë në botën digjitale. Qëllimi i kësaj mase është t’u japë fëmijëve më shumë kohë për pushim, lojëra dhe zhvillim përpara se atë të krijojnë në rrjete sociale profile që mbartin rreziqe të caktuara.
Ende e paqartë se për cilat platforma është fjala
Në marrëveshjen politike nuk specifikohet se kur dhe se si do të zbatohen planet. Gjithashtu është e paqartë se cilat platforma të mediave sociale do të preken. Në marrëveshje thuhet vetëm se ligji do të vendosë kufizime për platformat më të mëdha, në të cilat përdoruesit mund të krijojnë profile publike dhe të cilat janë të lidhura në mënyrë të dukshme me rreziqe për fëmijët dhe të rinjtë. “Fëmijët dhe të rinjtë vuajnë nga çrregullime gjumi, humbasin aftësinë e tyre për t’u çlodhur dhe për t’u përqendruar dhe janë gjithnjë e më shumë nën presionin e marrëdhënieve digjitale në të cilat të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm”, thuhet në deklaratë. Ky zhvillim nuk mund të ndalet vetëm nga asnjë prind, mësues apo kujdestar./kb
