Filmi biografik për kompozitorin dhe aktorin e madh del më 18 dhjetor
Një nga kansonierët më të mëdhenj të muzikës franceze – dhe përtej saj – me këngë që janë bërë klasike ndërkombëtare e të përkthyera në dhjetëra gjuhë; një aktor i vlerësuar me çmime nga regjisorë të mëdhenj si François Truffaut, Georges Franju, Claude Chabrol, Volker Schlöndorff, Claude Lelouch dhe Atom Egoyan; por edhe një aktivist i angazhuar për kauza të ndryshme, duke filluar me njohjen e gjenocidit armen nga Turqia.
Këto janë disa nga tiparet që përkufizojnë Charles Aznavour, artistin shumëplanësh që ndërroi jetë në vitin 2018, në moshën 94-vjeçare. Rruga e tij artistike vjen tashmë në ekranin e madh përmes filmit “Monsieur Aznavour”, me regjisorët Mehdi Idir dhe Grand Corps Malade, dhe me Tahar Rahim në rolin kryesor. Filmi shpërndahet në Itali nga Movies Inspired dhe do të dalë më 18 dhjetor.
Ky projekt kinematografik, që ishte në garë në vitin 2025 për katër çmime César, përfshirë atë për Aktorin më të Mirë, ka në kast edhe Marie-Julie Baup (në rolin e Édith Piaf – mikeshë, mentore dhe zbuluesja e talentit të Aznavour), Camille Moutawakil, Hovnatan Avedikian, Luc Antoni dhe Ella Pellegrini.
“Aznavour ishte djali i refugjatëve, i vogël, i varfër, me një zë të lartë, për të cilin thoshin se nuk kishte asnjë shans për sukses,” – thuhet në përmbledhjen e filmit. “Por me punë, këmbëngulje dhe një vullnet të jashtëzakonshëm, ai u bë një monument i këngës franceze dhe një simbol i kulturës kombëtare, duke frymëzuar breza të tërë.”
“Te ‘Monsieur’-i i titullit tonë,” – shpjegon poeti, reperi dhe regjisori Grand Corps Malade (emri i vërtetë Fabien Marsaud), – “kemi dashur të tregojmë figurën e tij me kthjelltësi, sepse po, Charles Aznavour ishte një njeri i madh. Autor, kompozitor dhe interpretues, ai pati një karrierë të gjatë ndërkombëtare dhe është ndoshta figura më e rëndësishme në këngën franceze.”
“E admiroj jashtëzakonisht si artist dhe si njeri,” – shton ai. – “Patëm mundësinë ta njihnim, pata nderin të këndoja me të dhe kaluam shumë kohë bashkë. Energjia e tij ishte përfshirëse. Ishte gazmor, i pëlqente të bënte shaka, të luante me fjalët. Ishte një vëzhgues i mrekullueshëm, kurioz për gjithçka, dhe shumë i vëmendshëm ndaj talenteve të reja, trendeve dhe teknologjive të kohës. Madje interesoheshte edhe për repin dhe slam-in.”
“Si kompozitor,” – vazhdon regjisori, – “ai dinte të vëzhgonte njerëzit, të kapte detajet e jetës dhe t’i kthente ato në universale. Forca e këngës Comme ils disent është se trajton temën e homoseksualitetit përmes historisë së një burri. Charles ishte ndër të parët që shkroi për këtë temë, duke ndezur një debat të madh. Shumë nga tekstet e tij flasin për dashurinë, por çdo herë ai gjen një kënd të ri, një detaj për t’u ndalur, diçka që prek shpirtin.”
Sipas regjisorit, Tahar Rahim “ka si talentin, ashtu edhe natyrën kameleonike ideale për këtë rol”. “E pamë këtë në serialin Gjarpri,” – shton ai. – “E dinim se ai ishte në gjendje të zhdukej brenda rolit, të ndryshonte mënyrën e të folurit dhe gjestet. Pak aktorë janë aq të aftë sa ta harrojnë veten për të mishëruar plotësisht një personazh.”
“Etika e tij e punës është e jashtëzakonshme,” – përfundon ai. – “Tahar foli si Aznavour për muaj të tërë para se të fillonin xhirimet – pa ndërprerje, madje edhe me familjen dhe miqtë. Ai arriti t’i jepte njerëzillëk figurës së Aznavour, duke e bërë tërheqëse edhe kur personazhi neglizhonte familjen e tij, sepse Tahar arriti ta mishërojë me gjithë brishtësinë dhe të metat e tij.”
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
