Last Updated on 07/11/2026 by Anisa
Përplasjet me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu dhe debatet për Reformën në Drejtësi. Adriatik Llalla flet për herë të parë për shpalljen e tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet që çuan në këtë vendim.
Në intervistën me Anisa Bahitin në emisionin “On The Road” në Top News, ish-kryeprokurori thotë se nuk mund të përjashtohet mundësia që përplasjet me diplomatin amerikan të kenë ndikuar në vendimmarrjen e autoriteteve amerikane. Llalla kujton se ndaj tij nisën hetime për disa çështje pas përfundimit të mandatit, por procesi përfundoi me dënimin për mosdeklarim pasurie.
“Krahas përplasjeve me ambasadorin, debateve kryesisht lidhur me Reformën në Drejtësi, çdo gjë mund të ketë ndikuar”, u shpreh Llalla.
Ai vë në pikëpyetje edhe mënyrën se si u mor vendimi për shpalljen e tij non grata, duke pretenduar se nuk kishte pasur më parë publikime mediatike që ta etiketonin për korrupsion.
“Pra, që të dënohet apo shpallet non grata një zyrtar, duhet të provohet paraprakisht se çfarë baze ka kjo. I jam drejtuar Departamentit të Shtetit, përgjigjja erdhi, vendimi është marrë mbi bazën e opinioneve që ka”, deklaroi Adriatik Llalla.
Nëse do ta kishte sot përballë ish-ambasadorin amerikan Donald Lu, Adriatik Llalla thotë se nuk do të preferonte të hynte sërish në debat me të.
“Nuk do të preferoja të isha më pjesë e debatit me atë zyrtar. Unë pata provuar çfarë është mendimi ndryshe me të dhe nuk dua më të jem pjesë e debatit”, u shpreh Llalla.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, deklaroi se ishte vetë iniciatori i ndryshimeve ligjore që ashpërsuan dënimet për mosdeklarimin e pasurisë, vepër penale për të cilën më vonë u dënua me dy vite burg.
Llalla, i cili jeton në Romë, pranoi se gjatë kohës kur drejtonte Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte kërkuar që mosdeklarimi i pasurisë të dënohej jo vetëm me gjobë, por edhe me burgim deri në tre vite.
“Është e vërtetë, iniciativa ligjore për ndryshimin e ligjit për mosdeklarimin e pasurive është kërkuar prej meje. Në fakt, realisht kërkova ashpërsimin e masës nga gjobë deri në tre vjet burgim. Mora shkas sepse shumë zyrtarë i shmangeshin deklarimit të pasurive”, u shpreh Llalla.
Sipas ish-kryeprokurorit, ashpërsimi i dënimeve solli përmirësim në deklarimin e pasurive nga zyrtarët.
“Ashpërsimi i dënimit i detyroi të ishin më të përgjegjshëm përpara institucionit të deklarimeve dhe kontrollit të pasurive. Dhe realisht solli një përmirësim, rregullim të situatës në institucion. Realisht unë isha vetë iniciatori, vetë unë që u ndëshkova. E respektoj vendimin e gjykatës, pavarësisht mendimeve të mia”, deklaroi ai.Ndwrkohw qw Llalla nw maj të vitit 2021, u dënua nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode, vendim I cili u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 22 shtator 2021.
Në intervistë, Llalla foli edhe për vendimin e autoriteteve italiane për të mos e ekstraduar në Shqipëri. Sipas tij, gjykatat italiane morën në konsideratë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare, si dhe gjendjen e tij shëndetësore.
“Autoritetet italiane, gjykatat italiane, më njohën të drejtën për mosekstradimin tim në Shqipëri. Duke parë që vendimi ishte jobindës, pra duke dhënë një dënim të rëndë për një vepër të tillë penale, autoritetet, duke vlerësuar edhe gjendjen time relativisht të rëndë shëndetësore, vendosën mosekstradimin tim në Shqipëri”, u shpreh ish-kryeprokurori.
