NASA ka vendosur të shtyjë një mision të planifikuar në hapësirë për shkak të një stuhie diellore të rrallë, të quajtur “kanibale”, e cila pritet të ndikojë në funksionimin e GPS-it, komunikimeve satelitore dhe rrjeteve të energjisë elektrike.
Sipas Studio Gjeologjike Britanike (BGS), parashikimet për aktivitetin diellor janë rritur në nivelin maksimal. Ekspertët kanë bërë të ditur se stuhia aktuale ka shkaktuar tashmë ndërhyrje në sistemet e komunikimit dhe të navigimit satelitor.
Ata paralajmërojnë se kjo stuhi mund të “ushqehet” nga një tjetër që po afrohet, duke u kthyer kështu në një “stuhi kanibale”, një ndër më të fuqishmet që është regjistruar gjatë dy dekadave të fundit. Sipas raportimeve ndërkombëtare, pritet që ajo të arrijë mbi territorin britanik gjatë pasdites së sotme.
Në të njëjtën kohë, kompania hapësinore Blue Origin, e themeluar nga drejtuesi i Amazon, Jeff Bezos, kishte planifikuar të lëshonte raketën New Glenn. Kjo raketë do të transportonte dy anije kozmike të NASA-s, të quajtura ESCAPADE, të destinuara për studime në orbitën e Marsit.
Megjithatë, përmes një njoftimi në platformën X (ish-Twitter), Blue Origin bëri të ditur se misioni do të shtyhet: New Glenn është e përgatitur për nisje. Por për shkak të aktivitetit të lartë diellor dhe ndikimeve të mundshme në anijet ESCAPADE, NASA ka vendosur të vonojë nisjen deri në përmirësimin e kushteve të motit hapësinor.
Agjencia hapësinore theksoi gjithashtu se po shqyrton mundësitë për përcaktimin e një dritareje të re nisjeje, në varësi të parashikimeve për motin në hapësirë dhe disponueshmërisë së infrastrukturës për lëshim./ K.M
