Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Në zonën e Institutit, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 kanë sekuestruar 2.2 kilogramë kokainë, ndërsa kanë vënë në pranga dy kushërinj, të cilët dyshohet se merreshin me shpërndarjen e drogës.
Sipas burimeve zyrtare, të arrestuarit kanë tentuar të largohen sapo kanë parë forcat e policisë, por janë kapur në afërsi të shinave të trenit në zonën e Institutit.
Hetimet paraprake tregojnë se lënda narkotike dyshohet të ketë ardhur nga Spanja, ndërsa destinacioni i saj ishte zona e Freskut, ku do të shpërndahej në doza të vogla.
Policia po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale./ MXH
