Shqipëria është vetëm dy fitore larg kualifikimit historik në Botërorin 2026, pasi ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e play-off-it.
Fitorja ndaj Andorrës vulosi matematikisht vendin e dytë në grup dhe pjesëmarrjen në ndeshjet vendimtare të marsit. Play-off-i luhet me ndeshje teke dhe kuqezinjtë mund të përballen me ekipe si Polonia, Çekia, Sllovakia apo Italia, ndonëse renditjet mund të ndryshojnë.
Kualifikimi në Botëror do të sillte përfitime të mëdha financiare, rreth 9 milionë euro për pjesëmarrjen dhe bonuse për çdo rezultat pozitiv. Deri tani, faza e grupeve dhe vetë play-off-i nuk shoqërohen me shpërblime monetare.
Shqipëria kërkon të bëjë hapin historik, duke u futur për herë të parë mes 48 ekipeve pjesëmarrëse në finalet e Botërorit. Përgatitjet për fazën e marsit mbeten fokusi kryesor, ndërsa objektivi është i qartë: dy fitore për të bërë realitet një ëndërr të gjatë.
