Last Updated on 15/11/2025 by EL
Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi sistemi bonus–malus për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve. Ky sistem parashikon që drejtuesit të paguajnë prime të diferencuara, të bazuara në historikun e dëmeve dhe përvojën në drejtim.
“Bonus-malusi është shumë i dobishëm, në radhë të parë frenon aksidentet, njerëzit bëhen më të ndërgjegjshëm” tha eksperti Gëzim Hoxha.
Eksperti Hoxha shpjegon se gjatë tre viteve të para, shoferët nuk do të mund të përfitojnë bonusin e parashikuar nga ligji. “Ne kemi 20 vjet që paguajmë, 30 vjet që paguajmë siguracione sepse kemi 30 vjet në treg dhe i gjithë ky kontribut na ikën dëm“, theksoi ai.
Ai ngre shqetësimin për mungesën e transparencës mbi fondet që kompanitë e sigurimeve mbledhin dhe që më pas duhet t’u kthehen qytetarëve në formën e bonusit. “Sa përqind përfitohet, kjo përqindje duhet të shpërndahet. Nëse nuk është kjo, atëherë parlamenti ka vepruar gabim. Parlamenti duhet ta kishte cilësuar: kjo shumë duhet t’u shpërndahet qytetarëve. Parlamenti duhet t’i shikojë këto gjëra dhe t’i vendosë në kushte ekuilibri”, tha eksperti.
Në përllogaritjen e re të primit do të merren parasysh jo vetëm aksidentet, por edhe fuqia motorike, mosha dhe eksperienca e shoferit, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e makinës. Shoferët e rinj, përvoja e ulët dhe automjetet e vjetra konsiderohen rreziqe që rrisin koston e siguracionit./e.t
