Një studim kombëtar i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, i realizuar me rreth 1000 të anketuar, nxjerr në pah fenomenin në rritje të bullizmit kibernetik. Studimi u zhvillua në 10 qytete të vendit nën drejtimin e profesorit Mark Marku dhe akademikut Artan Fuga.
Sipas rezultateve, viktimat e bullizmit në internet përballen kryesisht me profile anonime dhe persona të panjohur, ndryshe nga bullizmi offline, i cili zakonisht kryhet nga njerëz të njohur përreth tyre.
“75% e të rinjve janë shumë të ndjeshëm ndaj cyberbullizmit. Ata ndihen të vetmuar dhe të pambrojtur, sepse nuk ndajnë shqetësimet e tyre me psikologë, mësues apo familjet,” tha Mark Marku, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
Sipas Artan Fugës, “17-18% e të rinjve, pra rreth 1 në 5, kanë përjetuar bullizëm në rrjet. Nga këta, 80-90% raportojnë pasoja fizike dhe psiqike. Por studimi tregon se shkolla nuk ndërhyn për të adresuar këtë problem.”
Studimi zbulon gjithashtu se komunikimi virtual ka shkrirë diferencat gjeografike dhe gjinore. Përdorimi i rrjeteve sociale është i përafërt në qytet dhe fshat, si dhe mes vajzave dhe djemve. Megjithatë, të rinjtë në zonat rurale rezultojnë më të ndjeshëm ndaj fyerjeve. Rrjeti më problematik rezulton TikTok, i cili është edhe më i ndjekuri nga të rinjtë.
Profesorët nënvizojnë nevojën urgjente për ndërgjegjësim dhe edukim në përdorimin e sigurt të internetit, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit.
“Një mospërputhje mes nivelit teknologjik të komunikimit dhe ritualeve sociale kulturore bën që individi të mbetet pas zhvillimeve teknologjike,” shprehet Marku.
