Një udhëtim në origjinën dhe evolucionin e kirurgjisë kozmetike, nga përpjekjet e para 3,000 vjet më parë deri te eksperimentet e liposuksionit.
Nga Amelia Beltramini
Kirurgjia plastike ka rrënjë të lashta. Fjala “plastica” vjen nga greqishtja “plastikos”, që do të thotë “të modelosh, t’i japësh formë”. Megjithatë, dëshmitë më të hershme të procedurave kirurgjikale gjenden në papiruset egjiptiane dhe tekstet antike indiane. Papirusi i Edwin Smith, që daton rreth vitit 3000 p.e.s., përmban përshkrimet më të hershme të trajtimit kirurgjikal të frakturave të fytyrës, duke përfshirë hundën dhe nofullën.
Armiq dhe të dënuar: ku lindi nevoja për rindërtim
Rindërtimi i parë i dokumentuar i hundëve, veshëve dhe buzëve gjendet në tekstet hindu rreth vitit 400 p.e.s. Në atë kohë, prerja e hundës ishte dënim i zakonshëm për armiqtë dhe të dënuarit, prandaj kirurgjia rindërtuese shpesh ishte e domosdoshme.
Autori hindu Sushruta, në enciklopedinë Samhita, përshkroi për herë të parë rindërtimin e veshit me lëkurë të marrë nga faqja dhe teknikën e famshme “indiane” të rindërtimit të hundës. Kjo procedurë konsistonte në heqjen e një copëze lëkure nga faqja për ta palosur dhe fiksuar mbi zonën që do të rindërtohej.
Mjekët hindu zhvilluan gjithashtu teknikat e para të transplantit të lëkurës nga vithet – metoda që parapriu me më shumë se dy mijë vjet transplantin e parë modern të përshkruar në vitin 1869 nga kirurgu zviceran Jacques-Louis Reverdin.
Zbarkimi në Perëndim
Kur Aleksandri i Madh pushtoi Indinë në shekullin IV p.e.s., teknikat rindërtuese u sollën në Mesdhe dhe u përhapën në botën greko-romake. Në shekullin I të erës sonë, mjeku romak Aulus Cornelius Celsus përshkroi përmirësimin e buzëve, veshëve dhe hundëve të dëmtuara në veprën e tij De Medicina.
Në shekullin IV, mjeku bizantin Oribasius i kushtoi dy kapituj rindërtimit të defekteve të fytyrës në enciklopedinë e tij Synagogue Medicae.
Shembulli më i njohur i rindërtimit të hundës në antikitet lidhet me perandorin Justinian II (shek. VIII), të cilit, pasi u rrëzua nga froni, iu pre hunda për ta penguar të rikthehej në pushtet. Ai e rindërtoi dhe u rikthye sërish perandor—duke fituar pseudonimin historik “Rhinometus” (“Hunda e prerë”).
Në Kinë, mjekët e dinastisë Chin praktikonin korrigjimin e buzës së çarë që nga shekulli IV.
Mesjeta: periudhë errësire… me disa shkëndija
Pas rënies së Romës, shumë teknika u humbën. Mesjeta perëndimore u karakterizua nga regresi, me disa përjashtime, si Leechbook of Bald (920), i cili përshkruante operacionin e parë për korrigjimin e qiellzës së çarë.
Në shekullin XIII, Papa Inoçenti III ndaloi ndërhyrjet kirurgjikale, duke i lënë ato nën kontrollin e berberëve—të konsideruar më “manualë” dhe jashtë botës akademike.
Nga ana tjetër, arabët, pasi pushtuan Luginën e Indusit në vitin 711, mësuan teknikat hindu dhe i riimportuan ato në Evropë gjatë pushtimeve të Spanjës dhe Siçilisë.
Kontributi osman: “Mamma li Turchi”
Në tekstin kirurgjikal të ilustruar Cerrahiye-i Ilhaniye, Serafeddin Sabuncuoğlu përshkroi teknika të avancuara maksilofaciale, trajtimin e qepallave dhe korrigjimin e gjinekomastisë—metoda që paraprijnë kirurgjinë moderne të zvogëlimit të gjirit.
Shkolla italiane: nga Branca te Tagliacozzi
Në shekullin XV, familjet italiane të berberëve-kirurgë, si Branca nga Sicilia, ringjallën rindërtimin e hundës duke përdorur teknikën indiane. Alexander Benedictus dëshmoi se familja e përdorte “metodën italiane”: fiksimin e krahut në zonën që do të rindërtohej dhe heqjen graduale të një copëze lëkure për ta transferuar në hundë.
Më vonë, Leonardo Fioravanti dokumentoi raste rindërtimi dhe popullarizoi teknikat e transplantit. Ai përshkroi edhe një rast të çuditshëm të shekullit XVI, kur një hundë e prerë u shpëla me urinë dhe u riqepi me sukses—një metodë primitive, por efektive për kohën.
Britanikët rikthejnë shkencën
Në shekullin XVIII, pas pushtimit britanik të Indisë, interesimi për teknikat hindu u ringjall. Në 1794, një kirurg anglez, Lucas, përshkroi rindërtimin e një hunde nga një mjeshtër indian në Gentleman’s Magazine. Inspiruar nga ky rast, Joseph Carpue praktikoi mbi kufoma dhe, në vitin 1814, kreu rinoplastikën e parë “indiane” në Britani. Libri i tij Rivendosja e një Hunde të Humbur (1816) ringriti famën e teknikës.
Në 1818, kirurgu gjerman Carl von Graefe botoi Rhinoplastik, duke dokumentuar 55 operacione rinoplastike dhe procedura të tjera, duke u konsideruar “babai i kirurgjisë moderne plastike”.
Shekulli XIX: lind kirurgjia kozmetike
Rindërtimi i plotë i hundës kërkonte strukturë kockore. Në 1892, Robert Weir përdori sternumin e një rose për këtë qëllim dhe propozoi termin “rinomani” – fiksimi obsesiv pas perfeksionit estetik, problem që vazhdon edhe sot.
Në vitin 1892, kirurgi amerikani John Orlando Roe prezantoi rinoplastikën intranazale, e para procedurë estetike që korrigjonte hundën pa lënë shenja të jashtme—duke u bërë pionier i rinoplastikës estetike.
Luftërat botërore: katalizator i revolucionit kirurgjikal
Deri në fund të shekullit XIX, kirurgjia plastike ishte kryesisht rindërtuese. Por Lufta e Parë Botërore e transformoi atë. Plagët e rënda të kokës dhe fytyrës çuan në zhvillimin e kirurgjisë maksilofaciale, ndërsa qendrat e specializuara rindërtonin fytyrat e dëmtuara të ushtarëve, duke krijuar themelet e kirurgjisë moderne.
Në vitet 1920–1940, kirurgjia plastike u bë disiplinë universitare. Kursi i parë u hap në Johns Hopkins në 1924.
Infeksionet në rënie, kirurgjia në ngritje
Përparimi në anestezi, transfuzione, penicilinë dhe sulfonamide uli ndjeshëm vdekshmërinë. Lufta e Dytë Botërore solli teknika të reja rindërtimi dhe përdorimin e palcës së kockave për rikonstruksionet faciale.
Zmadhimi i parë i gjirit me inde autologe u krye në 1895 nga Czerny, i cili transplantoi një lipomë nga shpina në gjoks.
Dhe gjinjtë u rritën
Nga fundi i shekullit XIX, për zmadhimin e gjoksit u përdorën fillimisht materiale sintetike: parafinë, dyllë blete, vajra, madje edhe substanca të dëmshme. Këto u braktisën në vitet 1960 për shkak të komplikimeve të rënda.
Pastaj u eksperimentua me proteza prej fildishi, qelqi dhe materiale sfungjerore si Ivalon—derisa në vitin 1963 u prezantuan implantet e para moderne të silikonit.
Liposuksioni: një shpikje e shekullit XX
Liposuksioni është relativisht i ri. Metoda me kanulë për thithjen e dhjamit u shpik nga italiani Arpad Fischer dhe, në vitin 1987, dermatologu amerikan Jeffrey Klein prezantoi teknikën tumesçente, e cila lejonte heqjen e sasive më të mëdha të dhjamit me më pak humbje gjaku.
Burimi: focus.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
