Këshilli i Sigurimit të OKB votoi në favor të një draft-rezolute amerikane që mbështet planin 20 pikësh të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe që autorizon një forcë stabilizuese ndërkombëtare.
Izraeli dhe grupi militant i Hamasit u dakordësuan muajin e kaluar mbi fazën e parë të planit të Trump, por rezoluta e OKB shihet si thelbësore për të legjitimuar një qeveri tranzicioni dhe për t’i dhënë siguri vendeve që po konsiderojnë të dërgojnë trupa në Gaza, shkruan A2.
Teksti i rezolutës thotë se vendet anëtare mund të marrin pjesë në të ashtuquajturin Bordi i Paqes të drejtuar nga Trump, i konceptuar si autoritet i përkohshëm që do të mbikqyrë rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Gazës. Ai autorizon gjithashtu forcën stabilizuese ndërkombëtare të stabilizimit që do të sigurojë një proces të demilitarizimit të Gazës, përfshirë duke çmontuar dhe shkatërruar infrastrukturën ushtarake.
Mike Ëaltz, ambasador i SHBA në OKB, tha: “Kjo rezolutë, kolegë, nuk është thjesht një premtim në letër. Është një litar shpëtimi. Rezoluta mbështet një armëpushim të fituar me mund. Sipas gjuhës së negociuar me kujdes në planin 20-pikësh, kjo rezolutë përcakton një rrugë të mundshme për vetëvendosjen palestineze pasi Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar reformat e nevojshme, ku raketat do t’u lënë vendin degëve të ullirit dhe do të ketë një shans për të rënë dakord mbi një horizont politik. Ajo çmonton kontrollin e Hamasit. Ajo siguron që Gaza të ngrihet e lirë nga hija e terrorit, e begatë dhe e sigurt”.
Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, sinjalizoi më herët kundërshti të mundshme, por abstenoi nga votimi, duke lejuar miratimin e rezolutës. Ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, që gjithashtu abstenoi, u ankuan se rezoluta nuk i jep OKB një rol të qartë në të ardhmen e Gazës.
Ndërkohë, përmes një deklarate, Hamasi ritheksoi se nuk do të çarmatoset dhe përsëriti se lufta kundër Izraelit është rezistencë e ligjshme, duke e vënë potencialisht grupin kundër forcës ndërkombëtare të autorizuar nga rezoluta. Autoriteti Palestinez e mirëpriti rezolutën dhe tha se ishte gati të merrte pjesë në implementimin e saj./kb
