Last Updated on 18/11/2025 by EL
Dhjetë gjarpërinj të llojit Erythrolamprus reginae, të mbledhur nga Amazonia kolumbiane, u vunë përballë një prove të vështirë: pasi kishin disa ditë pa ushqim në kushte robërie, atyre iu ofruan si prenë e vetme bretkosat helmuese Ameerega trivittata, të njohura për toksinat vdekjeprurëse që mbartin në lëkurë. Gjashtë nga gjarpërinjtë preferuan të mos hanin fare, por katër të tjerë guxuan të sulmonin. Para se t’i gëlltisnin, ata i fërkuan bretkosat në tokë – një sjellje që ngjan me atë të disa zogjve që përpiqen të heqin toksinat nga ushqimi.
Tre nga katër gjarpërinjtë mbijetuan, duke treguar se trupi i tyre ka mekanizma për të përballuar nivele të caktuara të helmeve. Ky eksperiment hedh dritë mbi strategjitë e shumta që krijesat kanë zhvilluar për t’u mbrojtur nga toksinat, një dukuri që ka ndikuar qetësisht në evolucion dhe në marrëdhëniet midis specieve.
Toksiciteti në natyrë lind në mënyra të ndryshme: disa kafshë prodhojnë vetë toksina (si bufot, që prodhojnë glikozide kardiake), të tjera strehojnë baktere që krijojnë helm (si peshqit fryrës), ndërsa një pjesë i përthithin përmes ushqimit (si disa bretkosa helmuese). Për t’i mbijetuar helmeve, shumë specie kanë përshtatur proteinat e tyre qelizore që zakonisht preken nga toksinat. Por këto ndryshime shpesh sjellin kompromise—për shembull, disa insekte që ushqehen me bimë helmuese kanë proteina rezistente ndaj toksinës, por më pak efikase në funksione jetike.
Studime të fundit, përfshirë ato mbi insektet që ushqehen me bimë të pasura me glikozide, tregojnë se natyra ndërton shpesh zgjidhje të ndërlikuara për të ruajtur funksionimin e organeve të ndjeshme, si truri, ndërkohë që siguron mbrojtje ndaj helmeve.
Këto mekanizma mbrojtës jo vetëm zbulojnë kreativitetin evolucionar, por mund të ndihmojnë shkencëtarët të gjejnë mënyra më të mira për të trajtuar helmimet tek njerëzit./MXH
