Tregu i pensioneve private vullnetare vijoi zgjerimin edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, por me ritme relativisht më të ngadalta.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të shtatorit numri i anëtarëve të fondeve arriti në 48 864 anëtarë, në rritje me 1.3% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Që nga fillimi i vitit, numri i anëtarëve në fondet private të pensioneve është rritur me 8.8%.
Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme në dekadën e fundit dhe është në nivelet më të larta historike.
Megjithatë, depërtimi i pensioneve private ngelet ende në nivele modeste dhe numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat përbëjnë afërsisht 6.4% të numrit të kontribuuesve në skemën publike të sigurimeve shoqërore.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit shtator të këtij viti arriti në 9.3 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5% krahasuar me një tremujor më parë dhe 9.5% që nga fillimi i vitit 2025.
Megjithatë, nëse përfshijmë edhe fondet e mbyllura të pensionit, vlera totale e aseteve është ndjeshëm më e lartë, me afërsisht 14.4 miliardë lekë ose 11.6% më shumë që nga fillimi i këtij viti.
Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Për nga vlera e aktiveve, tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.
Aktualisht, në tregun e pensioneve private janë aktive shtatë fonde të pensioneve private, që administrohen nga katër shoqëri administruese.
Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 40.04% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Max me 36.92%, Raiffeisen Pension me 10.61%, Albsig Pension me 9.67%, Smart Pension, me 1.45% dhe Sigal Pro Pension, me 1.31% dhe Master Pension me 0.01%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Max me 37.99% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 30.01%, Raiffeisen Pension, me 20.54%, Albsig Pension me 9.74%, Smart Pension, me 1.26% dhe Sigal Pro, me 0.65%.
Ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, që hyri në fuqi në fund të vitit 2023, ka sjellë rritje të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.
Kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor të kontributeve për pensione private është rritur në nivelin e pagës minimale të miratuar, që ka arritur në 40 mijë lekë në muaj. Nga viti 2026, kufiri i përjashtimeve do të rritet në 50 mijë lekë në muaj, duke ndjekur rritjen e pagës minimale. Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet arrin në 480 mijë lekë në vit. Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Pavarësisht rritjes së stimujve, zgjerimi i kolonës së tretë të pensioneve private vazhdon të jetë i ngadaltë.
Edhe këtë vit, në mendimet e dhëna lidhur me projektbuxhetin në Kuvendin e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë rekomandonte ngritjen e kolonës së dytë të pensioneve private të detyrueshme, si edhe nxitjen e mëtejshme të kolonës së tretë. Në një afat të gjatë, vlerësohet se kolonat private të pensioneve mund të lehtësojnë barrën e skemës publike të pensioneve mbi buxhetin e shtetit./ Marrë nga Monitor/ K.M
