Filmi i shumëpërfolur “Hamnet”, që po merr vlerësime të larta, pati premierën e tij në Los Angeles. Eventi u mbajt në Muzeun e Akademisë dhe mblodhi kastën e yjeve që marrin pjesë në këtë dramë.
Me regjisore Chloe Zhao,fituese e çmimit Oscar, filmi sjell një rrëfim mbi marrëdhënien e William Shakespeare me bashkëshorten e tij Agnes, si dhe humbjen tragjike të djalit të tyre 11-vjeçar, Hamnet, në vitin 1596.
Ngjarja zhvillohet ne Angli, ku shohim Shakespeare e ri teksa jep mësime latinishtje për të shlyer borxhet e të atit, ndërsa bie në dashuri me Agnesin e lIrë në shpirt, të cilën banorët e përshkruajnë si “vajzën e një shtrige të pyllit”.
Aktorja Jessie Buckley, që portretizon Agnesin, thotë se historia është e mbushur me ndjenjë dhe emocione.
“Historia buron nga një dashuri e madhe dhe mendoj se për të dashur diçka duhet të rrezikosh ta humbasësh atë,” deklaroi aktorja.
Filmi fokusohet te jeta familjare e çiftit, duke pasqyruar uljet ngritjet e marrëdhënies së tyre, si dhe dhimbjen e thellë për humbjen e Hamnetit, tragjedi që, sipas rrëfimit, e shtyn Shakespeare-in të shkruajë kryeveprën “Hamleti”.
Prodhuar nga Steven Spielberg dhe Sam Mendes, “Hamnet” pritet të shfaqet në kinematë e mbarë botës në fund të vitit 2025 dhe fillim të 2026-s./MXH
