Aktivistë për mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve europianë protestuan të mërkurën jashtë Komisionit Europian në Bruksel, duke i bërë thirrje presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, të qëndrojë e palëkundur ndaj presioneve të Presidentit amerikan Donald Trump dhe kompanive të mëdha të teknologjisë, si dhe të mbrojë ligjet dixhitale të Europës.
Protesta u organizua nga grupet People vs. BigTech, WeMove Europe dhe EDRi, në të njëjtën ditë kur Komisioni prezantoi paketën “Digital Omnibus”, e cila synon thjeshtimin e rregullave dixhitale. Kritikët thonë se ndryshimet e propozuara te GDPR mund të dobësojnë mbrojtjen e të dhënave, duke u dhënë kompanive më shumë hapësirë për të mbledhur të dhëna personale dhe sensitive për trajnimin e inteligjencës artificiale. Propozimet janë ende në fazë të hershme dhe kërkojnë miratimin e vendeve anëtare dhe Parlamentit Europian.
Aktivistët paralajmëruan se do të shpërndajnë gjithashtu qindra postera në lagjen europiane të Brukselit. Ndërkohë, bizneset argumentojnë se ligjet e ashpra dixhitale të BE-së, si GDPR dhe Akti për AI, kanë frenuar inovacionin dhe kanë vënë kompanitë europiane në një pozitë të pafavorshme./MXH
