Parlamenti i Malit të Zi po përpiqet ta shfaqë “Rusinë si vend të djallëzuar” me “veprimet e veta antiruse”, ndërsa drejtuesit politikë malazezë po i rrisin tensionet dhe po e forcojnë statusin e “shtetit armik ndaj Moskës”, tha ambasadori rus në Podgoricë, Aleksandr Lukashik.
Këto akuza, të ngjashme në ashpërsi me retorikën e kohës së ftohjes së marrëdhënieve mes Podgoricës dhe Moskës para dhjetë vjetësh, u bënë më 14 nëntor.
Në të dyja rastet emëruesi i përbashkët është NATO-ja.
Reagimi i fundit i Moskës zyrtare erdhi pasi Parlamenti malazez dha dritën jeshile për dërgimin e ushtarëve malazezë në një mision të NATO-s për ta ndihmuar Ukrainën, e cila po lufton kundër pushtimit nga Rusia nga viti 2022.
Edhe para një dekade, kur Mali i Zi po përgatitej të hynte në NATO, Rusia reagoi ashpër, gjë që çoi në një ndërprerje pothuajse të plotë të marrëdhënieve.
Mali i Zi hyri në NATO në vitin 2017, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit, e cila u rrëzua nga pushteti në zgjedhjet e vitit 2020.
Pas rrëzimit të saj, marrëdhëniet mes Moskës dhe Podgoricës u përmirësuan.
Në pushtet erdhi një koalicion partish të udhëhequr nga Fronti Demokratik, liderët e të cilit, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, ishin mbështetës të hapur të presidentit rus, Vladimir Putin.
Mandiqi u zgjodh kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Knezheviqi është deputet, ndërsa njerëzit e tyre mbajnë poste ministrore në Qeveri.
Përveç tyre, në Qeveri mbizotërojnë partia me orientim evropian e kryeministrit Millojko Spajiq, si dhe partitë shqiptare e boshnjake që ndajnë të njëjtin kurs, si edhe demokratët proserbë. m.p.
