Një numër ende i paqartë nxënësish janë rrëmbyer nga persona të armatosur në një shkollë katolike në pjesën qendrore të Nigerisë, rrëmbimi i dytë masiv i nxënësve brenda kësaj jave.
Sulmi i fundit kishte në shënjestër shkollën St Mary’s në Papiri, në shtetin Niger, ku autoritetet kishin urdhëruar më herët mbylljen e përkohshme të të gjitha shkollave me konvikt për shkak të rritjes së kërcënimeve për sigurinë.
Detajet mbeten ende të paqarta, por banorët druhen se afro 100 nxënës dhe anëtarë të stafit mund të jenë marrë gjatë sulmit të orëve të para të mëngjesit.
Nigeria po përballet me një valë të re sulmesh nga grupe të armatosura ditët e fundit, përfshirë edhe rrëmbimin të hënën të më shumë se 20 vajzave nxënëse, që BBC raporton se janë myslimane, nga një shkollë me konvikt në shtetin fqinj Kebbi. Një kishë u sulmua gjithashtu në shtetin jugperëndimor Kwara, ku dy persona u vranë dhe 38 të tjerë u rrëmbyen gjatë një shërbese që transmetohej online.
Policia tha se persona të armatosur, të njohur lokalisht si “banditë” sulmuan shkollën St Mary’s të premten rreth orës 02:00 me kohën lokale (01:00 GMT) dhe rrëmbyen një numër ende të pakonfirmuar nxënësish nga konvikti.
Frika dhe pasiguria kanë pushtuar zonën, ndërsa familjet presin lajme për të afërmit e tyre.
Autoritetet e shtetit Niger deklaruan se shkolla kishte injoruar urdhrin për mbylljen e të gjitha konvikteve pasi inteligjenca lokale kishte paralajmëruar rrezik të shtuar sulmesh.
“Për fat të keq, shkolla St Mary’s vendosi të rihapte dhe të rifillonte aktivitetin akademik pa njoftuar apo kërkuar leje nga qeveria e shtetit, duke ekspozuar nxënësit dhe stafin ndaj një rreziku të shmangshëm,” thuhej në deklaratë.
Shkolla nuk ka komentuar ende për ngjarjen.
