Ish-drejtori i CIA-s dhe ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, deklaron se plani i paqes me 28 pika i propozuar për Ukrainën është i papranueshëm, sepse “i kërkon Kievit të heqë dorë nga sovraniteti i tij” dhe “reflekton plotësisht kërkesat ruse”.
Sipas Panettës, dokumenti është hartuar “pa asnjë konsultim real me ukrainasit”, ndaj Europa dhe Ukraina duhet të dalin me një kundërpropozim të përbashkët. Ai nënvizon se Putin përfiton nga perceptimi i dobësisë amerikane dhe do të vazhdojë të kërkojë maksimumin, prandaj është thelbësore që Europa të tregojë se do të vijojë mbështetjen për Kievin edhe nëse SHBA-të tërhiqen.
Panetta beson se vendet europiane “mund t’ia dalin edhe vetëm”, ndërsa rolin e kryeministres italiane Giorgia Meloni e sheh si kyç në komunikimin me presidentin amerikan Donald Trump, duke e bindur se “kushtet e Moskës nuk mund të pranohen si bazë për paqe”.
Ai minimizon idenë e një ultimatumit të vërtetë nga Trump, duke kujtuar se presidenti “ka ndryshuar dhe zgjatur shpesh afate” në çështje të tjera. Panetta kritikon gjithashtu përfaqësuesin amerikan Witkoff, të cilin e cilëson “jo efektiv dhe të njëanshëm pro rusëve”.
Në çështjen territoriale, ai thekson se Ukraina nuk mund të pranojë “të shpërblejë Rusinë për pushtimin”, ndërsa ndalimi i hyrjes së saj në NATO “është pikërisisht ajo që kërkon Putin që prej fillimit të luftës”.
Panetta paralajmëron se një dorëzim amerikan ndaj Moskës “do të jepte një sinjal dobësie”ndaj Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit. Lidhur me sanksionet e reja ndaj industrisë ruse të naftës, ai thotë se ato nuk mjaftojnë për të detyruar Kremlinin të negociojë.
Sipas tij, Trump po vepron “nga një pozicion dobësie” pas zgjedhjeve të fundit, polemikave mbi rastin Epstein, situatës së paqartë në Venezuelë dhe presionit të inflacionit. Ndërkohë, lufta në Ukrainë vazhdon, sepse “Putin nuk ka qenë kurrë i gatshëm për kompromis”.
Panetta kritikon edhe marrëveshjet e Trump me Arabinë Saudite, duke thënë se ai “u dha F-35 pa marrë asgjë në këmbim”, një qasje që e quan “hedhje të zareve nga dita në ditë, pa strategji afatgjatë”./kb