Last Updated on 22/11/2025 by Monika
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, ka pritur në Tiranë Misionin e parë të Organizatës Japoneze për Tregtinë e Jashtme, JETRO, agjencia shtetërore e Japonisë për bashkëpunimin tregtar ndërkombëtar. Vizita vjen në kuadër të interesit në rritje të kompanive japoneze për të eksploruar mundësitë e investimeve në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Spiropali theksoi se bisedimet u përqendruan tek rritja e investimeve japoneze në vend, si dhe tek forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Ajo u shpreh se Shqipëria po ofron potencial gjithnjë e më të madh në sektorë si energjia e rinovueshme, turizmi, manifaktura dhe inovacioni.
Pala japoneze shprehu interes për zhvillimet ekonomike në vend dhe mundësitë e bashkëpunimit në projektet e ardhshme, ndërsa vizita konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të pranisë ekonomike japoneze në Shqipëri.
Spiropali e cilësoi takimin si pjesë të diplomacisë ekonomike që synon të tërheqë investime të huaja cilësore dhe të forcojë lidhjet me partnerë strategjikë si Japonia./ mxh
