Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Wrong Delivery”, duke goditur një grup kriminal që merrej me hedhjen në treg të kartëmonedhave euro të dyshuara të falsifikuara.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasit A. B., 19 vjeç, nga Shkodra; një i mitur 17 vjeç nga Tirana; S. L., 26 vjeç, dhe E. A., 19 vjeç, të dy nga Tirana. Një tjetër person, A. P., 19 vjeç nga Kruja, u shpall në kërkim.
Shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin nga një postë në Tiranë 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Dërgesat kryheshin nga A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe shpërndarjen e parave.
Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme./ K.M
